Pasditja dhe mbrëmja e sotme do të jetë mjaft impenjative për tifozët kuqezi pasi tri protagonistë të Kombëtares pritet të kenë përballje të rëndësishme në Ligën e Kampioneve.
E para që do të zbresë në fushë do të jetë Sparta e Qazim Laçit dhe Indrit Tucit. Ekipi çek do pret në fushën e vet skuadrën e Aletiko Madridit. Në vigjilje të këtij dueli trajneri i Spartës, Lars Fris, kur foli për kalendarin e ngjeshur të ndeshjeve përmendi Qazim Laçin mes lojtarëve më të përdorur prej tij.
“Qazim Laçi ka luajtur deri më tani 28 ndeshje dhe mendoj se janë shumë për një lojtar. Që të shkojmë deri në pushimet e festave të fundvitit duhet që të aktivizoj sa më shumë lojtarë në mënyrë që mos kemi lodhje vetëm në një grup futbollistësh”, tha Fris.
Një tjetër ndeshje me interes të veçantë për publikun shqiptar është edhe ajo mes Jang Bojs dhe Atalantës. Në këtë takim pritet prezenca e Gjimshitit që nga minuta e parë ndërsa trajneri i Atalantës tha për këtë duel se i drihej barit sintetik të klubit svicerian.
Sot në mbrëmje në “San Siro” luhet ndeshja mes Interit dhe Lajpcigut. Sipas medieve italiane Simone Inzagi ka vendosur formacionin duke bërë plot 8 ndryshime krahasuar me ekipin që mundi Veronën të shtunën. Sipas asaj që është kuptuar Asllani nuk do të jetë në formacion pasi do të rikthehet Hakan Çalhanoglu.