Tifozët e Tiranës do të rikthehen në stadium pas 3 javësh. FSHF-ja vendos të “falë” bardheblutë dhe t’i rikthejë ato për derbin me Partizanin, takim që do të luhet ditën e dielë në orën 19:00 në “Air Albania”.
Në lidhje me këtë vendim ka folur ish-trajneri i Tiranës, Bledi Shkëmbi në "Procesin Sportiv" në "Top Channel".
Ky i fundit ka deklaruar se në momentin që u mor vendimi ishte i tepruar dhe së në këtë moment që po flasim tifozët janë “oksigjeni” i skuadrës.
Ndër të tjera vuri në dukje se mungesën e tifozëve dhe të një fushe e ka vuajtur shumë në kurriz të tij kur drejtonte kryeqytetasit dhe në momentin që u dha vendimi për dënimin e tyre u duk fundi.
“Unë jam i mendimit që në ato momente ai vendim ka qenë i tepruar.
Kjo nuk diskutohet. Patjetër që neve na vjen mirë që tifozët “falen”. Unë jam dakort me mendimin e Lorenc Jeminit se tifozët janë oksigjen për Tiranën në këtë moment.
Unë e kam vuajtur vetë në kurriz pjesën e fushave, të stadiumeve dhe të problemeve të tjera të pafund. Dënimi i tifozëve u përjetua si fundi i diçkaje se çfarë po ndodh me ne.
Më vjen mirë që kthehen tifozët. Për arsyet nuk dua të merrem. Mungesa e fushës dhe tifozëve është ndjerë shumë. Janë masakrim për futbollin dhe sidomos për futbollistët.
Mungesa e tifozëve në këtë sezon në stadiume? E kam ndjerë shumë. Pavarësisht se na vjen mirë apo jo, por ne nuk e kemi kultuarën e tifozit. Tashmë ndeshjet mund të shihen në telefon apo Tv dhe kjo është një tjetër arsye. Gjithashtu edhe cilësia ka të bëjë shumë, nuk diskutohet”, deklaron Shkëmbi.