​Çfarë u vendos në mbledhjen e Komitetit të FFK-së?

Futboll

​Çfarë u vendos në mbledhjen e Komitetit të FFK-së?

Më: 27 nëntor 2024 Në ora: 09:40
Foto ilustrim

Nën drejtimin e presidentit Agim Ademi, të martën u mbajt mbledhja e radhës e Komitetit Ekzekutiv të FFK-së. Gjatë kësaj mbledhjeje u shqyrtuan dhe u morën vendime të rëndësishme që lidhen me zhvillimin dhe avancimin e futbollit në të gjitha nivelet.

Një ndër pikat kryesore të diskutimit ishte analiza e ndeshjeve të Kombëtares së Kosovës, me fokus në ndeshjen e ndërprerë me Rumaninë, si dhe performanca e ekipeve kombëtare të grupmoshave dhe Kombëtares së femrave. U diskutua gjithashtu për kampionatin në të gjitha ligat e Kosovës, i cili po i afrohet përfundimit të stinorit vjeshtor, me qëllim të evidentimit të arritjeve dhe sfidave për të përmirësuar mbarëvajtjen e garave.

Gjatë kësaj mbledhjeje Komiteti Ekzekutiv shqyrtoi progresin e projekteve të ndërtimit të fushave të futbollit dhe zhvillimeve infrastrukturore brenda FFK-së.

Kësisoj u miratuan disa projekte:

Vazhdimi i investimeve në Kampin Nacional të FFK-së në Hajvali.

Vazhdimi i projektit të fushave stërvitore

Fillimi i punimeve në Kampin e Batllavës, për të cilin u shpreh falënderim për KFOR-in për kontributin në rregullimin e bazës.

Kampi sportiv në Leposaviq, një tjetër projekt me rëndësi për zgjerimin e kapaciteteve sportive dhe gjithëpërfshirjes në vendin tonë.

Ndërtimi i Shkollës së Mesme të Futbollit në Sllatinë, për të cilën u miratua projekti dhe fillimi i procedurave.

Stadiumi i mbuluar për futboll të madh, që do të shërbejë sidomos gjatë sezonit të dimrit, si dhe salla multifunksionale sportive, kjo e fundit në bashkëpunim me Komunën e Prishtinës, e cila do të shërbejë për futsall, basketboll, hendboll, volejboll dhe sporte marciale.

Fusha e Lidhjes Rajonale të Futbollit të Prishtinës në Bërnicë, një projekt tjetër që pritet të ndikojë pozitivisht në zhvillimin e futbollit në këtë regjion.

Një pikë tjetër e rëndësishme ishte miratimi i planit për riorganizimin dhe reformimin e shtatë Lidhjeve Rajonale të Futbollit. Kjo iniciativë ka për qëllim përmirësimin e menaxhimit të garave dhe zhvillimin dhe progresin e futbollit në të gjitha regjionet e Kosovës.

Në këtë mbledhje u vendos edhe për organizimin e ceremonisë tradicionale të shpalljes së laureatëve për vitin 2024, ku do të vlerësohen futbollistët, trajnerët dhe klubet që kanë spikatur gjatë këtij viti.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat