I vendosur në mars të vitit 2024 në burgun e Tremembes, afër São Paulos, ish-futbollisti brazilian po e vuan dënimin në Brazil pasi u dënua me 9 vjet burg nga drejtësia italiane për një incident përdhunimi në grup që kishte ndodhur në Milano në vitin 2013 ndaj një vajze të re.
Aktualisht, ai po e vuan dënimin në burgun 2 në Tremembé, San Paolo.
Megjithatë, 11 gjyqtarë të Gjyqit Suprem Federal të Brazilit duhet të votojnë për të vendosur nëse Robinho mund të lihet i lirë apo të vazhdojë të qëndrojë në burg.
“UOL Esporte” zbuloi se 9 gjyqtarë tashmë i kanë shprehur mendimet e tyre dhe 7 prej tyre kishin votuar pro mbajtjes së tij në burg.
Prandaj, vendimet e dy gjyqtarëve të tjerë nuk çojnë peshë.
Edhe Federata Braziliane e shprehu opinionin e saj për aferën Robinho, duke u distancuar me fjalë të ashpra.
Presidenti i Konfederatës Braziliane të Futbollit (CBF) tha se ky është “një nga kapitujt më katastrofikë në futbollin brazilian.”
“Është e turpshme që një lojtar të ndihet rehat duke e bërë këtë lloj perversiteti, duke përfituar nga ajo që ka arritur dhe duke menduar që përmes sportit do të mbrohet disi nga ndëshkimi.
Rastet që i përfshijnë yjet e Kombëtares braziliane nuk mund të kalojnë pa u ndëshkuar. Ne jemi në krahë të ‘viktimave’ dhe nuk mund të heshtim ndaj këtyre rasteve. Futbollistët duhet të jenë në linjë për ta ‘luftuar’ dhunën seksuale të çfarë do lloji”, u shpreh ai.
Në gjykatën e Milanos, në vitin 2017 Robinho dhe 5 brazilianë të tjerë u shpallën fajtorë për përdhunimin në grup të një 22 vjeçareje shqiptare pasi e kishin dehur në një klub nate në vitin 2013.
Dënimi u konfirmua nga një gjykatë apeli në vitin 2020 dhe u vërtetua nga Gjykata e Lartë e Italisë në vitin 2022.