Shqipëria U-19 e femrave nis me këmbën e mbarë kualifikueset e Euro 2025

Futboll

Shqipëria U-19 e femrave nis me këmbën e mbarë kualifikueset e Euro 2025

Më: 27 nëntor 2024 Në ora: 16:42
Pamje nga ndeshja

Shqipëria U-19 e femrave ka fituar 2 me 1 ndaj Malit të Zi në përballjen e vlefshme për raundin e parë kualifikues për Europianin 2025. Sfida u luajt në stadiumin “Arena Kombëtare” dhe u vendos nga golat e Qoses dhe Ndojt.

Kombëtarja shqiptare e vajzave U-19 fitoi takimin e parë të grupit B1 ndaj Malit të Zi me rezultatin 2-1, e vlefshme për raundin e parë të kualifikueseve të Kampionatit Europian 2025 për këtë grupmoshë.

Vajzat dominuan ndeshjen në “Arenën Kombëtare” dhe golat e fitores u shënuan nga Adela Qose dhe Xhesika Ndoj.

Trajnerja Luçije Gjini e nisi ndeshjen ndaj Malit të Zi me këtë formacion titullar: Rajmonda Spahiu (GK), Anxhela Nika, Klea Alushi, Xhesika Ndoj (C), Klesta Ago, Rosela Vasa, Bora Bushati, Kristina Hoxhaj, Adela Qose, Era Methoxha dhe Stela Vata.

Shqipëria e menaxhoi shumë mirë ndeshjen dhe në minutat e para ishte e kujdesshme në prapavijë. Vajzat zhbllokuan takimin në minutën e 30-të me një gol shumë të bukur nga Adela Qose. Pjesa e parë u mbyll 1-0.

Fraksioni i dytë nuk nisi mirë për Shqipërinë. Mali i Zi barazoi rezultatin me Nada Doknić në minutën e 48-të.

Trajnerja Luçije Gjini kreu zëvendësimin e parë në minutën e 56-të. Nga loja doli Bora Bushati dhe u aktivizua Rigela Hysa.

Vajzat kuqezi morën sërish avantazhin në minutën e 68-të me kapitenen Xhesika Ndoj, e cila mposhti portieren kundërshtare me një goditje nga brenda zonës.

Vajzat dominuan deri në fund të takimit dhe shpërdoruan edhe disa raste të mira shënimi. Në fund, sfida u mbyll me fitoren e Shqipërisë 2-1.

Në ndeshjen tjetër të grupit B1, Bjellorusia U-19 u ndesh me Moldavinë U-19, teksa vajzat bjelloruse triumfuan me rezultatin 10-0 në takimin e luajtur në Shtëpinë e Futbollit.

Protagoniste absolute e ndeshjes ishte mesfushorja Anastasiya Kavaliova, e cila shënoi shtatë gola, 3 në pjesën e parë dhe 4 në pjesën e dytë, ndërsa tre golat e tjerë u shënuan nga Veranika Kaliuta.

Më 30 nëntor, vajzat kuqezi do të luajnë ndeshjen e dytë në grup kundër Moldavisë, në orën 13:30, ndërsa më 3 dhjetor do të luajnë sfidën përmbyllëse të këtij raundi ndaj Bjellorusisë në të njëjtën orë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat