Barazimi është i mundshëm, por jo i dëshiruar nga skuadrat në derbin e kryeqytetit, të dielën më 1 dhjetor. Sidomos Tiranës, pranë zonës së ftohtë, nuk i vjen për shtat një pikë e vetme, por edhe Partizani synon të mbajë në distancë Vllazninë për të ruajtur vendin e parë.
Tirana e Partizani do të ndeshen të dielën më 1 dhjetor në Arenën Kombëtare pa bërë shumë llogari e me synimin për t’i rrëmbyer fitoren njëra-tjetrës. Në derbin e fazës së parë, skuadrat u ndanë pa gola e pa shumë emocione në fushë, duke preferuar më mirë një pikë se sa të dilnin të humbur nga përballja me kundërshtarin historik.
Sigurisht që barazimi është një rezultat më se i mundshëm edhe të dielën e ardhshme, por skuadrat janë të vetëdijshme se këtë herë nuk vlen shumë, sidomos për bardheblutë.
Tirana mban vendin e shtatë në renditje dhe është më pranë zonës së ftohtë se katërshes finale. Janë gjashtë pikë që ndajnë skuadrën e Maganit nga Dinamo në vendin e katërt, me Elbasanin dhe Teutën midis tyre, ndërkohë që vetëm dy pikë e ndajnë nga Skënderbeu i vendit të tetë dhe tri nga Laçi, një pozicion më poshtë.
Ndaj barazimi nuk vlen shumë, duke ditur që në rast suksesi bardheblutë mund të përfitojnë nga përballja direkt e Laçit me Skënderbeun, ku njëra do të lërë detyrimisht pikë, në mos të dyja.
Për Partizanin barazimi mund të jetë më i pranueshëm, pas në fund të sezonit të rregullt rëndësi ka të jesh midis katër të parave. Megjithatë, për moral por edhe për short më të mirë, vendi i parë është i rëndësishëm, ndaj të kuqtë do të synojnë të mbajnë të distancuar Vllazninë që luan në Ballsh kundër Bylisit në një takim vërtet të vështirë..