Pas debutimit të Rúben Amorim si trajner i Manchester United në Premier League një tjetër “debutim” vjen për trajnerin portugez. Ai do të drejtojë sot skuadrën në Europa League në ndeshjen ndaj Bodo Glimt.
Ky është edhe debutimi i tij në “Old Trafford”, para publikut të tij. Ndaj, emocioinet për të gjithë janë të mëdha, një skuadër që dëshiron të ndryshojë kurs pas një fillim-sezoni të vështirë.
Kapiteni i “djajve të kuq”, Bruno Fernandes, deklaroi se po bën makmsimumin për të mbështetur trajnerin e ri, patriotin e tij Amorim: “Gjithmonë duhet të përshtatesh me ide dhe pozicione të ndryshme, edhe kur luan në të njëjtin sistem”.
“Shpesh duhet të përshtatesh me mënyra të ndryshme të lojës, me dhe pa top, pasi trajneri mund të kërkojë gjëra të ndryshme. Nuk është e vështirë për mua të përshtatem, jam shumë i vetëdijshëm për këtë gjatë stërvitjes, përpiqem të thith gjithçka, nga çdo pozicion”, tha Fernandes.
“Duke qenë kapiten, trajneri nuk mund ta përcjellë gjithmonë mesazhin nga pankina në fushë. Pra, si kapiten, duhet të përpiqem për zgjidhjen e situatës së bashku me shokët e skuadrës. Ky është roli im”, tha mesfushori portugez.
“Të gjithë e dimë se do të jetë një moment i veçantë, e para për trajnerin tonë në Old Trafford. Duam ta fitojmë ndeshjen për të dhe për t’u dhënë lumturi tifozëve. Do të jetë si një sensacion i ri, por pas bilbilit do të jetë një ndeshje si çdo tjetër dhe ne duam ta fitojmë atë”, tha Fernandes.