Derbi si monument i kryeqytetit

Futboll

Derbi si monument i kryeqytetit

Më: 28 nëntor 2024 Në ora: 17:35
Pamje nga një ndeshje

Derbi midis Tiranës e Partizanit nuk është vetëm ndeshja kryesore për kryeqytetin shqiptar. Përballja është shpirti i qytetit, me gjallërinë, pasionin, energjinë, historinë e krijuar në dekada. Kjo ndeshje është një pasuri e Tiranës po aq sa atraksionet e tjera të njohura të qytetit.

I gjallë, drithërues, plot ngjyra e energji. Janë disa nga cilësimet më të shpeshta që hasen në përshkrimet e qytetit të Tiranës në shumë nga guidat turistike, por që i shkojnë për shtat më së miri edhe ndeshjes më të madhe sportive që ofron kryeqytetit i Shqipërisë. Në një qytet që ka shumë për t’u ofruar syve të vizitorëve, derbi midis Tiranës e Partizanit është një nga atraksionet kryesore, një eveniment që i kalon kufijtë e fushës e të stadiumit, me pasionin dhe energjinë që shpërndan.

Është një ndeshje, pavarësisht disiplinës sportive, që përmban brenda historinë, emrat e mëdhenj, politikën, dashurinë e urrejtjen për ngjyrat, krenarinë, kunjat, frikën, sepse rezultati në derbi nuk vlen vetëm për aktualen, pikët janë të rëndësishme por ndoshta jo më të rëndishmet për tifozët më të thekur. Fitorja përballë rivalit të madh është motiv krenarie, humbja është makthi më i madh nga i cili duhen ditë e ndoshta më tepër për të marrë veten.

Derbi është kryefjala e javës, tifozeritë përgatiten jo vetëm për përkahjen e skuadrës në fushë, por edhe për të fituar ata vetë ndeshjen në tribuna, me koret e banderolat që brenda tyre mbartin gjithçka që këto dy skuadra e këto përballje kanë krijuar në dekada.

Kjo e bën derbin e Tiranës tërheqës edhe për tifozët asnjanës, madje edhe për ata që sportin nuk e kanë pasionin më të madh, por që tërhiqen nga pasioni i turmave, koreografia, përkushtimi ndaj ngjyrave të zemrës.

Ndaj derbi i Tiranës është një atraksion po aq i madh i qytetit sa dhe xhamia e Ethem Beut, monumenti i Skënderbeut, liqeni me parkun e tij, apo muzeu kombëtar dhe galeria e arteve. Kjo është fundjava e derbit, të gjithë janë gati për ta shijuar.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat