Mesfushori i Liverpulit, Aleksis Mek Alister, i cili u shpall edhe lojtari i ndeshjes ndaj Realit nga UEFA, duke folur për “TNT Sports” tha se anglezët e merituan fitoren, pasi e dominuan ndeshjen.
“Kur luan kundër ekipeve si Reali i Madridit është gjithmonë mirë të shënosh, por është e rëndësishme që ne e fituam atë.
Ne e dominuam ndeshjen. Na duhej disa herë ky djalë (Kaoimhin Kelleher) dhe faleminderit që e patëm. Kur flasim në dhomën e zhveshjes, ne e dimë se lojtarët që hyjnë nga stoli janë të rëndësishëm për të përfunduar ndeshjet dhe ju e dini se nëse doni të fitoni trofe, keni nevojë për ta. Të gjithë bëjnë më të mirën për ekipin”.
Liverpuli është e vetmja skuadër me pikë të plota këtë sezon në Champions, por a mendon argjentinasi se ata janë favoritë tashmë në Europë? “Është bukur, por në të njëjtën kohë nuk do të thotë asgjë.
Është vetëm faza e parë. Ne jemi të kënaqur me paraqitjet tona dhe kjo është gjëja më e rëndësishme. Ne vazhdojmë”.