Ndeshja mes Dinamos dhe Teutës e vlefshme për javën e 15-të të Superiores ka përfunduar me fitoren e dinamovitëve. Sfida e zhvilluar në “Elbasan Arena”, përfundoi 2-0 në favor të “Nëndetëses”. Pas kësaj sfide ka folur trajneri fitues, Ilir Daja.
“Urime të gjithë shqiptarët kudo që janë, gëzuar festat e Nëntorit, shëndet dhe mbarësi në shtëpitë e tyre.
Përballjet me Teutën janë gjithmonë të vështira. E rëndësishme është që ne marrim një 3 pikësh, që na sposton me zonën e mesit dhe vazhdojmë rezultatet e mira. Kemi 3 sulmues që kanë shënuar rregullisht si Zabërgja, Itodo dhe Bregu. Po na shtohen alternativat në mbrojtje, po rikthehet dhe Hoxha për 2-3 javë.
Në disa minuta ne nuk po nxirrnim dot topin nga poshtë. Edhe kur Maliqi dilte nga presioni, gabonte me pasimin. Kjo edhe për meritë të Teutës që presonte lart me shumë lojtarë. Pika e kthesës sonë ishte goli, ajo na dha një tjetër anë psikologjike në raport me kundërshtarin.
Toli sot nuk ishte në ditën e vet të mirë. Kështuqë me dy mesfushorë qëndrorë me probleme, për shkak edhe të dëmtimit të Qefalijas, këto bëjnë që të kesh probleme. Plus Teuta është një kundërshtar shumë i fortë për çdo ekip, për mënyrën e presingut. Me gjithë këto probleme që kishim, nuk mendoj se bëmë keq”, është shprehur Ilir Daja.