Situata e keqe te City, Guardiola nuk i trembet Liverpoolit: Erdhi momenti për të provuar veten

Futboll

Situata e keqe te City, Guardiola nuk i trembet Liverpoolit: Erdhi momenti për të provuar veten

Më: 1 dhjetor 2024 Në ora: 14:01
Pep Guardiola

Pep Guardiola thotë se triumfet e fundit të Mançester Sitit po i blejnë atij më shumë kohë për të ndryshuar fatin e tyre, por pranoi se fitorja në Liverpul nuk do të shëronte një sezon të vështirë. Siti e lidhi Guardiolën me një kontratë të re dy-vjeçare këtë muaj, por do të shkojë në “Anfield” të dielën mes formës më të keqe që nga viti 2006 dhe menaxheri i referohet nevojës për rindërtimin e skuadrës.

53-vjeçari pohoi se nuk t’u shmanget problemeve të ekipit, ndërsa pretendoi se presidenti Khaldon Al Mubarak do të ketë një vendim për të marrë për të ardhmen e tij nëse kriza vazhdon. “Njerëzit thonë, “Pep, pse nuk është në telashe? Pse nuk shkarkohet?” Por ajo që kemi bërë gjatë tetë viteve të fundit është arsyeja pse unë kam këtë diferencë”, tha Guardiola.

“Njerëzit këtu mbështeten tek unë. Në momentin që do të ndiej se nuk jam pozitiv për klubin, do të vijë një tjetër. Klubi do të marrë vendimin që duhet të marrë. Por unë doja shansin. Doja mundësinë që të më jepte të provoja. Nuk dua të iki. Unë dua të jem atje. Dua të bëj një rindërtim të skuadrës në shumë aspekte nga tani deri në fund të sezonit dhe sezonin e ardhshëm, për të provuar të vazhdoj atje lart. Unë duhet të provoj veten tani”.

Guardiola ka fituar vetëm një herë në “Anfield” si trajner i Sitit, në vitin 2021 pa tifozë dhe Siti hyn në një ndeshje të Premier Ligës si një skuadër jo favorite sipas kuotave të basteve për herë të parë që nga prilli 2017. Siti do të shkonte 11 pikë pas Liverpulit nëse humbet kundër skuadrës së Arne Slot dhe Guardiola sugjeroi se diferenca do të ishte e pakapërcyeshme.

“Me situatën që kemi, nuk është realiste të mendosh për një objektiv të madh, shtoi ai për garën për titull. Rezultati nuk do të ndryshojë asgjë. Humori do të ishte më i mirë, por pas tre ditësh kundër Notingem Forestit nëse nuk ke vazhdimësi… Ti ke vazhdimësi kur fiton 10 ose 12 ndeshje radhazi, siç kemi bërë po aq vite. Një ndeshje tani nuk do të ndryshojë ndjesinë se si jemi si ekip. Gjithçka që do të kërkoja nuk është rezultati, por lojtarët të rikthehen. Thjesht kërkoj që lojtarët të kthehen, në mënyrë që skuadra që krijuam në fillim të sezonit të shkojë kudo për të qenë ata që jemi. Rodri nuk është aty, por cfarë duhet të bëjmë? Të qajmë gjatë gjithë kohës se Rodri nuk është aty?”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat