“Ne i besojmë Ançelotit, Reali beson te trajneri”. Ky është mesazhi zyrtar që vjen nga zyrat qendrore të klubit në Valdebebas kur dikush ka pyetur për të ardhmen e Karlo Ançelotit në Madrid.
Drejtuesit e klubit të bardhë sigurojnë se nuk e kanë menduar zëvendësimin e italianit. Natyrisht, e gjithë kjo mund të ndodhë nëse do të ketë ndonjë hata në dhjetor, me Realin të impenjuar në Liga, në Ligën e Kampioneve dhe në finalen e Kupës Interkontinentale.
Nëse katastrofa ndodh, askush nuk mund të garantojë që Ançeloti do të vazhdojë në Madrid. Por edhe pse besimi te trajneri italian është i palëkundur, në klub ndihet shqetësimi. Për shkak të dëmtimeve të vazhdueshme, aty shfaqet emri i Pintusit. Por mbi të gjitha për shkak të asaj që u pa në Liverpul. A
jo që shfaqi skuadra nuk ishte aspak e mirë dhe të qenit në buzë të humnerës, duke zënë vendin e 24-të në Champions League, nuk i ndihmon gjërat të qetësohen, përkundrazi. Tifozët e Realit nuk e panë dhe aq keq humbjen në Liverpul. Por nuk janë ata që vendosin dhe në kupolën e Realit ka shqetësim pas humbjes në “Anfield”. Dhjetori do të shënojë të ardhmen e Realit të Madridit. Duke filluar nga ajo e Ançelotit, por edhe te merkatoja, sepse klubi është i vetëdijshëm që përballë kaq shumë dëmtimeve, mosnënshkrimi në janar duket i pamatur.
BESIMI I KARLOS – Pavarësisht gjithçkaje, trajneri i Realit mbetet i vendosur në besimin e tij se skuadra, në fund, do të arrijë të kthejë situatën dhe jo vetëm të kalojë në raundin tjetër, por të shkojë shumë më larg në Champions. Këtë e ka bërë të ditur Alberto Çerruti, një gazetar i “Gazzetta dello Sport” dhe mik personal i Ançelotit, i cili pasi mësoi se do ta telefononin nga emisioni “El Larguero” për të ndërhyrë në programin e radhës, i shkroi “Karletos” dhe ky i fundit i dërgoi atij një mesazh: “Thuaju atyre (gazetarëve në studio) ndonjë gjë, por gjëja më e rëndësishme është që Madridi do të jetë në finalen e Champions League në Mynih”.