Frikë për Edoardo Bove gjatë ndeshjes Fiorentina-Inter! Mesfushori Edoardo Bove ra në tokë rreth minutës së 15-të të lojës dhe u dërgua me ambulancë në spitalin Careggi.
Ai do t’i nënshtrohet një skaneri TAC. Bashkë me të ishin drejtori sportiv i Fiorentinës, Daniele Pradè, dhe drejtori i përgjithshëm, Alessandro Ferrari, të cilët më pas u bashkuan me trajnerin Raffaele Palladino dhe familjarët e lojtarit.
Sipas burimeve të Adnkronos, kur mbërriti në spital, Bove po merrte frymë vetë dhe kishte rrahje të zemrës. Fillimisht i pavetëdijshëm, ai rifitoi ndjenjat. Sipas Ansa-s, bëhet fjalë për një krizë epileptike që shkaktoi një arrest kardiak.
Lidhur me gjendjen shëndetësore të lojtarit, ka reaguar përmes një njoftimi zyrtar edhe skuadra e Fiorentinës. “AC Fiorentina dhe Spitali Universitar Careggi njoftojnë se futbollisti Edoardo Bove, i ndihmuar në fushë pas humbjes së ndjenjave gjatë ndeshjes Fiorentina-Inter, ndodhet aktualisht në terapi intensive, nën sedacion farmakologjik. Bove mbërriti në gjendje të qëndrueshme nga ana hemodinamike në urgjencë dhe ekzaminimet e para kardiologjike dhe neurologjike përjashtuan dëmtime akute të sistemit nervor qendror dhe atij kardiopulmonar. Ai do të rivlerësohet brenda 24 orëve të ardhshme.”
FAMILJA DHE DREJTUESIT E FIORENTINËS NË SPITAL
Në spital, përkrah lojtarit ndodheshin drejtori sportiv i Fiorentinës, Daniele Pradè, dhe drejtori i përgjithshëm, Alessandro Ferrari. Më vonë u bashkua edhe trajneri Raffaele Palladino dhe familjarët e Bove-s. E pranishme ishte gjithashtu kryetarja e Bashkisë së Firences, Sara Funaro. Shokët e skuadrës, duke filluar nga kapiteni Cristiano Biraghi, mbërritën një nga një për ta vizituar.
Gjyqtari Doveri e ndërpreu menjëherë ndeshjen dhe më pas erdhi zyrtarizimi nga Lega Serie A: “Ndeshja nuk do të vazhdojë dhe është shtyrë për një datë të pacaktuar.” Gjatë ndërprerjes së lojës, Bove ra në tokë dhe situata u duk menjëherë shumë serioze. Një ambulancë e largoi menjëherë lojtarin, ndërsa priten të rejat.
Bove ishte përkulur për të lidhur këpucën, por sapo u ngrit, bëri disa hapa dhe u rrëzua në tokë. Futbollisti i lindur në vitin 2002 u rrethua nga shokët e ekipit dhe kundërshtarët, të cilët i dhanë ndihmën e parë. Disa lojtarë të tjerë, thuajse me lot në sy, u larguan nga vendngjarja.