Mohamed Salah është duke e kaluar vitin e fundit të kontratës me Liverpoolin.
Ylli egjiptian ka zbuluar se nuk ka marrë ndonjë ofertë nga “Reds” për vazhdimin e kontratës, duke nënkuptuar se ky mund të jetë sezoni i tij i fundit në “Anfield Road”.
E interesimi i klubeve evropiane për sulmuesin e rrezikshëm nuk mungon.
Madje, mediumi francez “L’Equipe” raporton se interesim për ish-futbollistin e Baselit, Chelseat, Romës e Fiorentinës ka shfaqur Paris Saint-Germaini.
Gjiganti nga Parisi shpreson që lojtari të mos e vazhdojë kontratën me liderin e Premierligës dhe ta marrë atë si transfer të lirë, natyrisht me një rrogë të majme për ta bindur që të përfundojë në Ligue 1.
Salah e ka arritur sërish formën kulmore dhe po e drejton me sukses ekipin e Arne Slot drejt rezultateve pozitive në Premierligë dhe në Ligën e Kampionëve.
Natyrisht, lojtarit do t’i pëlqente ta vazhdojë karrierën në Liverpool, të cilin e konsideron si klub të madh dhe mundësi të jetës, por që nuk e përjashton mundësinë e largimit dhe të shqyrtimit të ofertave nëse nuk arrin një e tillë nga klubi i tij aktual.