Real Madridi ka pësuar një sërë lëndimesh gjatë javëve të fundit dhe në fazën e sulmit kanë mbetur pa Brahim Diaz, Rodrygo dhe Vinicius shpeshherë gjatë këtij sezoni.
Sidoqoftë, kjo nuk ka bërë që në mungesë të tyre minutat të rriten për Endrick Felipe, brazilianin të cilin e transferuan verën e kaluar për 40 milionë euro.
Kur trajneri Carlo Ancelotti u pyet për Endrick pas ndeshjes me Getafen tha se ‘Ai duhet të punojë’, duke iu referuar përkushtimit të tij në stërvitje.
Tekniku italian në përgjithësi cilësohet si një ‘baba i lojtarëve’ në kuptimin se i mbron ata dhe i trajton si të rritur.
Megjithatë, gazetari Manolo Lama nga Cadena Cope, ka sugjeruar se diçka më shumë se vetëm mungesa e minutave është një problem, duke thënë se fjalët e Ancelottit ishin një mesazh i qartë.
Në aspektin e lojës, Ancelotti nuk ka probleme, por në stërvitje dhe në aspektin e sjelljes, ai besohet të ketë parë diçka tek Endrick që nuk i pëlqen.
18-vjeçari ka marrë vetëm 29 minuta në 9 ndeshjet e fundit të Real Madridit, sidoqoftë në ndeshjet hapëse të sezonit ai kishte treguar sa i mirë mund të jetë dhe kishte shënuar 2 gola.