Redon Xhixha mund të rikthehet në Superiore gjatë merkatos së janarit. Më saktësisht në kryeqytet aty ku ka patur momentet më të mira në karrierën e tij me fanellën e Tiranës.
Por këtë herë sipas shtypit të shkruar bëhet me dije se sulmuesi mund të veshë fanellën e rivalëve të Tiranës, Partizanit. Pikërisht këto të fundit janë vënë në lëvizje për të bindur Xhixhën të rikthehet në Superiore dhe të veshë fanellën e kuqe.
26-vjeçari te skuadra e Qarabag nuk ka minutat e dëshiruara dhe kjo bën që lojtari të kërkojë një tjetër skuadër ku të jetë protagonist dhe Superiore duket kampionati i preferuar. Kjo pasi e njeh mirë kampionatin shqiptarë, pasi përveç Tiranës ka mbajtur veshur edhe fanellën e Laçit.
Rikthimi i Xhixhës në kryeqytet kërkohet të bëhet në formë huazimi për pjesën e dytë të sezonit dhe nëse diçka e tillë arrihet, atëherë Aleksandar Veselinovic do të siguronte golat. 26-vjeçari luan në të 3 pozicionet e sulmit dhe do të ishte “asi nën mëngë” për serbin.
Kujtojmë se ish-lojtari i Tiranës ka kontratë me Qarabag deri në qershor të vitit 2026. Gjithashtu vlen të theksohet se Xhixha i ka shkaktuar humbjen e fundit Partizanit në derbi, ku në tetor të vitit 2022 do të shënonte dopietë për t’i dhënë 3 pikët Tiranës.