Kimmich thyen heshtjen

Futboll

Kimmich thyen heshtjen

Më: 3 dhjetor 2024 Në ora: 12:13
Kimmich

Joshua Kimmich, mesfushori i Bayern Munich dhe një nga lojtarët më të rëndësishëm të klubit bavarez, ka folur hapur për të ardhmen e tij, duke shtuar presionin mbi drejtuesit. Kontrata e 29-vjeçarit përfundon në fund të sezonit, ndaj me statusin e një “free agent” mund të nisë bisedimet me klube të tjera në janar, një skenar që Bayerni po përpiqet me çdo kusht ta shmangë.

Në një intervistë për ZDF, Kimmich ka qenë i drejtpërdrejtë: “Nuk do të pres deri në verë. Do të ulem gjatë dimrit dhe do të shoh panoramën e plotë. Në janar do të marr vendimin e duhur”. Ky është një mesazh i qartë për klubin, të cilin e vë në një pozitë të vështirë, nëse nuk arrin ta bindë lojtarin për rinovim.

Bayerni ka pohuar se bisedimet për rinovimin e kontratës janë në zhvillim e sipër, me drejtuesit që janë optimistë. Drejtori sportiv Max Eberl, pas barazimit 1-1 ndaj Borussia Dortmund, pranoi:
“Natyrisht, do të doja ta kisha këtë çështje të zgjidhur para Krishtlindjeve, por sot nuk mund ta premtoj”.

Ndërsa Christoph Freund, një tjetër figurë kyçe në menaxhimin e klubit, tha: “Sigurisht që dëshira jonë është ta mbyllim këtë sa më shpejt. Por, nëse ndodh një javë më parë apo më vonë, kjo nuk është thelbësore”.

Kimmich, që nga viti 2015 është shtyllë e ekipit të Bayernit, duke luajtur rol të pazëvendësueshëm në fushë dhe jashtë saj. Klubi është i gatshëm ta bëjë atë mesfushorin më të paguar në radhët e trajnerit Vincent Kompany, për të siguruar qëndrimin e tij.

Në janar pritet të ndriçohet e ardhmja e Kimmich. Për Bayern, humbja e tij si “free agent” do të ishte goditje e madhe, ndërsa për lojtarin mund të jetë shansi për një aventurë të re në karrierë. Tifozët e Bayernit shpresojnë që marrëveshja të arrihet, për të mos humbur një nga lojtarët më të rëndësishëm të dekadës së fundit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat