Dani Olmo ka pasur një histori të gjatë me lëndime, që kanë ndikuar në karrierën e tij. Gjatë tri viteve të fundit, ai ka humbur 76 ndeshje për shkak të problemeve fizike, një situatë që po bëhet gjithnjë e më shqetësuese. Ky problem me lëndimet është diçka që duhet ta zgjidhë për të rikuperuar formën dhe stabilitetin e tij, si për klubin, ashtu edhe për kombëtaren.
Dani Olmo po e shqetëson Barcelonën. Spanjolli, papritur, nuk u thirr për ndeshjen ndaj Las Palmas, ndeshje që katalanasit e humbën befasueshëm në shtëpi gjatë fundjavës së kaluar. Sipas “As”, sulmuesi qëndroi në pankinë për shkak të një mbingarkese muskulore.
Nuk ka qenë ndeshja e parë që Olmo ka humbur këtë sezon për shkak të një lëndimi. Pas një fillimi të shkëlqyer, lojtari spanjoll ka pasur nevojë të ndalej dhe ka humbur tashmë 8 ndeshje të këtij sezoni për shkak të një problemi në gjunjë. Kjo ka rezultuar në 41 ditë pushim që nga momenti që nënshkroi me Barcelonën. Problemet fizike janë një shqetësim i vazhdueshëm për një lojtar që ka cilësi të mëdha, por nuk arrin të jetë konstant.
Në sezonin e tij të fundit me Leipzig, ai ka qenë jashtë për 147 ditë për shkak të lëndimeve, duke humbur një total prej 29 ndeshjesh. Kjo për shkak të tri problemeve të ndryshme fizike. Edhe pse ka luajtur pak me gjermanët, ai ka qenë një nga protagonistët e Europianit të fituar nga Spanja.
Në sezonin 2022-2023, ai ka qëndruar jashtë për 98 ditë, duke humbur kështu 20 ndeshje për shkak të tri lëndimeve të tjera.
Nuk ka bërë më mirë as në sezonin 2021-2022, ku ka humbur 19 ndeshje në 100 ditë totale mungese. Në total, bëjnë 386 ditë lëndimi dhe 76 ndeshje të humbura për më pak se 3 vite e gjysmë. Shumë për një sulmues që mund të bëhet shtyllë kryesore e Barcelonës dhe e kombëtares iberike.