Carlo Ancelotti foli në konferencën për shtyp para ndeshjes kundër Athletic Club në “San Mamés”, e vlefshme për javën e 19-të të La Liga-s. Trajneri italian u ndal te disa aspekte të skuadrës dhe theksoi se vendimi i Kylian Mbappé për t’ia lënë goditjen e penalltisë Bellingham në ndeshjen kundër Getafes nuk lidhet me mungesë besimi, por është një gjest altruizmi që tregon aftësinë për të vendosur ekipin para gjithçkaje.
Ancelotti shpjegoi se zgjedhja e ekzekutuesve të penalltive iu takon vetë lojtarëve: “Ndeshjen e radhës, nëse na jepet penallti, do të vendoset mes Bellingham dhe Mbappé kush është në gjendje më të mirë për ta goditur. Veprimi i Mbappe për t’ia lënë penalltinë kolegut nuk është akt pasigurie. Ne e shohim si një akt altruizmi. Është një gjest që e vlerësojmë shumë, sepse pasqyron frymën e ekipit”.
Përpara sfidës ndaj Athletic Club, trajneri italian vuri në dukje vështirësinë e transfertës dhe momentin e mirë të skuadrës baske: “Është një ndeshje kërkuese, si gjithmonë në ‘San Mamés’. Do të ketë një atmosferë të jashtëzakonshme, do të sfidojmë një kundërshtar të fortë. Athletic është shumë mirë, është një nga ekipet më të mira në Spanjë për momentin, me cilësi dhe organizim të mirë. Qëllimi është të japim versionin tonë më të mirë dhe ta fitojmë ndeshjen”.
Lidhur me gjestin e Mbappé dhe ndikimin e tij në skuadër, ai komentoi: “Fakti që një talent i jashtëzakonshëm si Mbappé ka këtë qasje altruizmi është shumë domethënës. Për ekipin është diçka thelbësore. Kur ke talent dhe altruizëm së bashku, je në rrugën e duhur”.
Për gjendjen fizike të Aurélien Tchouaméni shtoi: “Është rikuperuar dhe gati për të luajtur. Do të shohim se ku do ta vendosim në fushë”.
Sa i përket sistemit mbrojtës: “Pozicioni i krahut të djathtë kërkon më shumë përgjegjësi mbrojtëse. Ndonjëherë përdorim lojtarë me karakteristika specifike, si Brahim, që mund të përshtatet mirë në atë rol”.
Trajneri vlerësoi performancën e Marco Asencio në mbrojtje: “Ka treguar se është një qendërmbrojtës i besueshëm, i sigurt dhe i motivuar. Do të mendohem mirë para se ta lë në stol. Më ka befasuar me maturinë dhe qetësinë e tij”.
Për Dani Ceballos: “Po tregon shumë personalitet, kontroll dhe zotërim të topit. Ka dhënë shumë kontribut në ndeshjet e fundit”.
Lidhur me mosaktivizimin e Ferland Mendy: “Është një vendim teknik. Fran García është në një moment të shkëlqyer dhe po ofron shumë nivel sulmues. E ka shfrytëzuar shumë mirë mundësinë e tij”.