Mesfushori 24 vjeçarë Florent Ramadani është njeriu i momentit te Shkëndija. Kuqezinjtë fitojnë minimalisht me rezultat identik 1:0 dy transfertat e fundit me Voska Sport dhe Pelisterin dhe në të dyja ndeshjet autor i golave të vetëm ishte Florent Ramadani.
Pa harruar edhe tre realizimet tjera të këtij sezoni ndaj Vardarit (4:0), Besës (2:1) dhe AP Brera (4:3) që çojnë në 5 numrin e golave të realizuar nga ai në këtë kampanjë, më i miri për të sa i përket efikasitetit prej kur luan me ekipin e parë.
Triumfi i të martës 1:0 në Ohër përballë Voskës na shkëputi në vendin e parë dhe vendimtare ishte minuta e 51 kur më i madhi nga vëllezërit Ramadani shfrytëzoi asistin e Cakes për të sjellë tre pikë të rëndësishme.
“Për ne ishte shumë e rëndësishme ta fitonim këtë ndeshje, pavarësisht se kush do të shënonte gol. Me rëndësi mbeten tre pikët dhe të ecim para. Zhvilluam ndeshje të mirë taktikisht, mbuluam mirë gjithë terrenin, gjithë çunat dhanë maksimumin, ndërsa jam i lumtur që pikërisht goli im solli tre pikët”, deklaroi Florent Ramadani pas ndeshjes në Ohër.
24 vjeçari nuk fsheh kënaqësinë që të dytën ndeshje rresht si mysafir e vendos goli i tij.
“Patjetër se jam i lumtur, janë 6 pikë të rëndësishme nga dy transferta të vështira, në një terren të vështirë për lojë në Ohër dhe në temperaturat shumë të ulta në Manastir. Por ne menaxhuam të dalim me nga tre pikë me dy gola të shënuar nga unë dhe do të jem shumë i lumtur nëse në fund këto fitore na ndihmojnë të dalim kampion.”
Ramadani nuk harron të falënderojë Klisman Caken për asistin në ndeshjen me Voskën, derisa potencon se goli ishte i veçantë duke qenë se erdhi nga këmba e tij e majtë, që realisht s’është arma më e fortë e tij.
“Po, patjetër e vlerësoj asistin. E falënderoj shumë shokun tim Caken me të cilin ngacmohemi shumë, por tani ai më dha super asist të cilin fatmirësisht e konvertova në gol. Edhe pse më erdhi në këmbën e majtë, por rezultoi super për të marrë tre pikët”, përfundoi Florent Ramadani.
Kuqezinjtë sot kanë seancë rikuperimi, derisa të enjten lojtarët kanë ditë pushimi. Në stërvitje kthehemi të premten për të vijuar përgatitjet për ndeshjen e fundit të vitit 2024 të dielën me Gostivarin në Tetovë.