Elbasani ka mposhtur Bylisin me rezultatin 3-1 në stadiumin “Elbasan Arena”. Një sfidë e cila u vendos me përmbysje, pasi të parët kaluan ballshiotët në avantazh.
Dhe pse me një lojtar më pak pas daljes me karton të kuq të kapitenit Abazaj në minutën e 31-të, skuadra e Dedes befasoi në fundin e pjesës së parë duke zhbllokuar sfidën me Malomon.
Djemtë e drejtuar nga Bordin reaguan në pjesën e dytë. Fillimisht ishte Kasa që barazoi takimin me një goditje spektakolare nga jashtë zone.
Heroi i takimit për Elbasanin ndërkohë rezultoi Lleshi, që u fut nga stoli. Kjo pasi realizoi dy gola, të cilët erdhën nga gabimet në mbrojtjen mike.
Kështu Elbasani rikthehet te fitorja pas tetë ndeshjesh në kampionat. Ishte pikërisht transferta e Bylisit që sillte 3 pikë, që tashmë fitohen dhe në Elbasan. Bylisi ndodhet në vendin e fundit me 13 pikë, ndërsa Elbasani mban vendin e pestë me 21 pikë pas 16 javësh kampionat.