Oscar fiton titullin e tretë dhe largohet nga Kina pas 8 vitesh

Futboll

Oscar fiton titullin e tretë dhe largohet nga Kina pas 8 vitesh

Më: 6 dhjetor 2024 Në ora: 12:52
Oscar

Kina iu parapriu përpjekjeve të Arabisë Saudite me 13 vite, kur qeveria, që prej vitit 2010, nisi të tërheqë emra të mëdhenj të futbollit europian dhe ndërkombëtar për të zhvilluar kampionatin dhe gjithë lëvizjen kombëtare të futbollit.

Kështu, yje si Didier Drogba, Nicolas Anelka, Seydou Keita, Lucas Barrios, Guillaume Hoarau, Marouane Fellaini dhe Yannick Ferreira-Carrasco u joshën nga milionat që klubet kineze shpesh shpenzonin pa kursim për t’u përforcuar.

Disa qëndruan për pak kohë, ndërsa të tjerë për një periudhë më të gjatë. Një nga këta ishte Oscar dos Santos Emboaba Júnior, i njohur si Oscar. Braziliani i tronditi të gjithë kur, në dhjetor 2016, vendosi të largohej nga futbolli europian në moshën 25-vjeçare.

Vendimi i tij u kritikua shumë, por nuk mundi ta refuzonte ofertën e jashtëzakonshme prej 24 milionë eurosh në sezon. I transferuar te Shanghai SIPG, Oscar qëndroi në Kinë për 8 vite, duke luajtur 248 ndeshje në të gjitha kompeticionet, me 77 gola dhe 141 asistime.

Gjatë kësaj kohe, ish-lojtari i Internacional Porto Alegre shtoi në palmaresin e tij 5 trofe: tre kampionate (2018, 2023 dhe 2024), një Superkupë Kineze (2019) dhe një Kupë Kineze (2024).

Tani ka ardhur momenti për t’u larguar. I blerë për 61 milionë euro, Oscar luajti dje ndeshjen e tij të fundit në Kinë, ku realizoi edhe një gol nga penalltia. Me kontratën që përfundon më 31 dhjetor, ai u përshëndet mes lotësh, duke u larguar si kampion.

Në moshën 33-vjeçare, ai mbetet ylli i fundit ndërkombëtar i kampionatit kinez dhe ka përfituar gjithsej rreth 192 milionë euro gjatë qëndrimit të tij atje. E ardhmja e tij duket se do të jetë kthimi në atdhe.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat