Interi kthehet në fushë pas thuajse dramës në Firence ku u ndërpre ndeshja ndaj Fiorentina-s për shkak të problemit gati të rëndë shëndetësor të futbollistit Bove. Ndeshja u ndërpre pas minutës së 17-të dhe nuk vazhdoi më tutje.
Skuadra zikaltër fitoi sonte ndaj Parma-s me rezultatin e rehatshëm 3-1 me golat e shënuar nga Di Marco, Barella dhe Marcus Thuram. Sërish në hije dhe raste të humbura nga Lautaro Martinez, që nuk po gjen dot veten sivjet dhe është larg nivelit dhe rendimentit që jemi mësuar.
Që në filllim Interi i është afruar direkt golit rrezikshëm me anë të Dumfries por shtylla ka thënë “jo”. Lautaro gjithashtu ka pasur një mundësi të artë që nuk e ka shfrytëzuar. Arbitri ka akorduar më pas penallti për një pengim të argjentinasit nga Keita por VAR ka kthyer duke e dhënë jashtë zone kontaktin dhe duke e kthyer në goditje dënimi.
Interi ka provuar me Henrikh Mkhitaryan por gjithashtu nuk ka arritur të finalizojë edhe pse ka krijuar volum. Calhanoglu ka vënë në provë portierin Suzuki por goditja e turkut është grushtuar.
Megjithatë, në fund të pjesës së parë ishte Di Marco ai që si një bomber zone pasi ka kombinuar bukur me armenin ka arritur të driblojë mbrojtësin dhe të shënojë me lehtësi.
Në pjesën e dytë Mkhitaryan ka qenë sërish autor i një tjetër super asisti, këtë herë fluturimthi, duke gjetur Barellan e avancuar. Mesfushori u prezantua i vetëm përpara mbrojtësit dhe portierit duke e shmangur dhe shënuar golin e dytë. Arbitri anuloi për pozicion jashtë loje por VAR pasi ka parë pamjet e ka quajtur të vlefshëm me të drejtë.
Më pas ishte radha e Marcus Thuram që të shënojë golin e dhjetë në Serie A sivjet në një goditje këndi ku topi ka përfunduar te ai në shtyllën e dytë. Lautaro ndërkohë ka shpërdoruar edhe dy raste të tjera për të shënuar teksa Parma gjeti golin e nderit me një devijim të pafat të Darmian në portën e tij.
Ne fund, Lautaro mund te kete rastin te zhbllokohet por arbitri pasi akordon penallti, kthen vendimin nga VAR pasi sheh qe kontakti eshte bere pasi lojtari i Parma-s ka hequr topin. Interi shkon 31 pikë dhe me 1 ndeshje me pak.