Në një editorial të botuar në “Gazzetta dello Sport”, ish-trajneri i njohur dhe aktualisht opinionist, Fabio Capello, analizoi fitoren e Atalantës ndaj Milanit dhe situatën e skuadrës kuqezi. Mbi Atalantën:
“Fitorja ndaj Milanit konfirmon gjithçka të mirë që kemi parë deri tani.
Skuadra e Gasperinit është e fortë, por mbi të gjitha është e bindur në atë që bën dhe luan me një vendosmëri të jashtëzakonshme. Shikoni De Ketelaere në golin e parë. Theo Hernandez kishte një qëndrim pasiv, ndërsa belgu kërceu lart dhe u drejtua nga topi. Ky është një imazh i qartë i ndryshimit të qëndrimit mes Atalantës dhe Milanit gjatë të mbrëmjes së djeshme.
Të gjithë bëjnë të njëjtën pyetje: A është vërtet Atalanta një skuadër për titull? Unë ende besoj se Interi është favorit, por Gasperini ka kartat e tij për t’i luajtur. Për më tepër, ai ka një mesfushor të nivelit të lartë europian; Ederson. Ai është i jashtëzakonshëm për kombinimin e shpejtësisë, fizikut, teknikës dhe inteligjencës”.
Mbi kuqezinjtë e Fonseca: “Milani bëri shumë pak, tepër pak, veçanërisht pas dëmtimit të Pulisic. Portieri Maignan luajti më shumë topa sesa shumica e shokëve të tij të skuadrës. Ky nuk është posedim topi, por humbje kohe dhe një shenjë mungese besimi te vetvetja.
Dhe pikërisht për këtë arsye, Milani ishte i ngadaltë, i tërhequr dhe gjuajti vetëm dy herë në portë: një herë në fillim me Pulisic dhe herën tjetër me golin, që erdhi nga një shpërthim i jashtëzakonshëm i Leaos.
Pastaj janë edhe gabimet e zakonshme, madje individuale. Kemi folur për Theon, por në golin e Lookman, që vendosi ndeshjen, Emerson Royal bëri një gabim të madh. Kjo humbje është e rëndë për Milanin. Nuk e them unë, e thotë tabela e klasifikimit.
Fonseca tani është 12 pikë prapa Gasperinit, por më shumë se distanca nga kreu, shqetësuese është ajo nga zona Champions. Lehtë është të përsërisim që është ende herët, por duke thënë vazhdimisht se është herët, bëhet vonë. Sidomos nëse Serie A nuk do të çojë 5 skuadra në Ligën e Kampionëve, siç ndodhi sezonin e kaluar”.