Trajneri i Bajernit, Vinsent Kompani, thotë se “gjërat po duken mirë” në lidhje me rikuperimin e Herri Kejn nga lëndimi. Belgu ka refuzuar të përjashtojë mundësinë e rikthimit të Herri Kejn nga lëndimi para pushimit dimëror.
“Gjërat po duken mirë” tha Kompani në një konferencë për shtyp të premten. “Unë nuk dua të jap një afat kohor dhe të vë nën presion ekipin tonë mjekësor. Mund të ndodhë që ai të luajë përsëri këtë vit. Por gjithçka duhet të shkojë në mënyrë perfektë”.
Herri pësoi një dëmtim të lehtë të muskujve në barazimin 1-1 të javës së kaluar me Borusia Dortmund dhe humbi ndeshjen kundër Bajer Leverkusen në Kupë. Kejn rifilloi stërvitjen e vrapimit të enjten dhe përfundoi një seancë individuale 20-minutëshe të premten. Sipas “Bild”, sulmuesi patjetër do të humbasë ndeshjen e së shtunës kundër Haidenhaim dhe ndeshjen e së martës në Champions me Shahtjar Donjeck, por një rikthim në fushë kundër Mainc javën e ardhshme është i mundur nëse gjithçka shkon mirë. Komaponi foli edhe për hipotezën se Bajerni është i varur nga Musaiala:
“Real Madrid varej nga Ronaldo, Barcelona varej nga Mesi. Ne kemi një lojtar me shumë talent. Të tjerë flasin për Herri Kejn ose Manuel Nojer. Është krejtësisht normale për një lojtar si Xhamal të jetë i rëndësishëm për ne. Ka shumë futbollistë që shënojnë dhe asistojnë në Mynih”.
A është Kompani i kënaqur me gjendjen e ekipit? “Duhet të ktheheni gjashtë muaj mbrapa dhe të shikoni se ku ishim. Askush nuk e kishte menduar se do të gjendeshim në këtë pozicion tani. Fakti që ne jemi në këtë stad që thjesht presim më të mirën është një shenjë e mirë. Tani jam me mendjen te Haidenhaim, kështu që nuk po mendoj për të kaluarën”.
Tekniku belg foli shkurt edhe për rivalin e sotëm: “Ata po luajnë në Evropë. Është gjithmonë e vështirë të jesh konkurrues në të dyja garat. Ajo që Haidenhaim ka bërë gjatë 20 viteve të fundit është e mirë. Ata janë një klub shumë solid. Ata nuk do të kenë panik tani. Ne nuk bëjmë dallime në mënyrën se si përgatitemi, do të jetë një tjetër lojë e rëndësishme për ne”, e mbylli Kompani.