Ilir Daja i përgatitur për transfertën e Laçit: E dimë që…

Futboll

Ilir Daja i përgatitur për transfertën e Laçit: E dimë që…

Më: 7 dhjetor 2024 Në ora: 19:37
Ilir Daja

Dinamo do të përballet nesër me Laçin në kuadër të javës së 17-të të Superiores. Përpara këtij takimi ka folur trajneri Ilir Daja, që nuk e fshehu entuziasmin pas fitores me Vllazninë.

Në konferencë për shtyp, Daja tha se duhet të qëndrojnë me këmbë në tokë. Po ashtu preku vështirësinë e transfertës së Laçit.

“Vijmë pas fitores në Shkodër ndaj Vllaznisë, që është vazhdimësi e rezultateve të mira që kemi marrë këto javët e fundit. Ishte një fitore e rëndësishme, mbi të gjitha me lojë bindëse, sepse më parë kemi fituar, por loja nuk ka qenë në nivelin që kemi dashur. Thjesht duhet duhet të nxjerrim mësime nga ajo që ndodhi në minutat e fundit, pasi ndeshja përfundon kur vërshëllen arbitri.

Kemi entuziazëm natyrisht, por duhet të qëndrojmë me këmbë në tokë, sepse nuk kemi arritur asgjë. Na pret një ndeshje shumë e fortë në Laç, ndaj një kundërshtari që me skuadrat e kreut ka bërë mirë në javët e fundit. E dimë që fusha e Laçit është mjaft e vështirë sportivisht, loja është me dyluftime të forta. Na duhet të japim maksimumin për të vazhduar me këto rezultate.

Kemi pasur mungesa titullarësh në ndeshjet e fundit, si Bregu, Mandela dhe Hoxha, ndërsa Muzek dihet që do shumë kohë që të rikthehet. Fakti që kemi fituar edhe me këto mungesa do të thotë se kemi më shumë lojtarë të gatshëm për të hedhur në fushë dhe ky është një plus për ne.

Nani 3 gola në 2 ndeshje? Jo vetëm Nani, por të gjithë, edhe një 19-vjeçar, siç ia kam thënë se fundi ekipit, do të ketë mundësitë e tij, nëse bën një performancë të mirë dhe shprehet në fushë ashtu siç ne kërkojmë. Secili e fiton vendin me atë që jep në fushë”, tha trajneri Daja.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat