Llapi në presion

Futboll

Llapi në presion

Më: 10 dhjetor 2024 Në ora: 12:43
Pamje nga një ndeshje

Përballja mes Suharekës dhe Llapit do ta mbyllë xhiron e 16-të të Superligës së futbollit.

Kjo ndeshje do të luhet sot në stadiumin e qytetit në Suharekë duke filluar nga ora 13:00.

Llapjanët e kanë nisur mjaft zbehtë sezonin e ri dhe momentalisht e shohin veten në vendin e shtatë dhe njëkohësisht në zonën e barazhit me 4 fitore, 5 barazime e 6 humbje.

Nga ana tjetër, debutuesi i Superligës e nisi furishëm edicionin e ri, por pati rënie në xhirot e fundit duke përfunduar aktualisht në vendin e pestë me 19 pikë, dy më shumë se Llapi, me 5 fitore, 4 barazime e 6 humbje.

Andaj, sot na pret një ndeshje mjaft interesante.

Llapjanët do të mundohen t’ia bëjnë dhuratë fitoren trajnerit Tahir Batatina, i cili dje u pajis me licencën UEFA Pro dhe njëkohësisht të ngriten në tabelë, duke e pasur parasysh se në këtë edicion e kanë objektiv së paku arritjen e një pozitë që çon në garat evropiane.

Ndërkaq, therandasit nuk dinë për fitore qe pesë xhiro dhe sot e kanë mundësinë ideale t’i japin fund kësaj serie negative.

E seri edhe më të zezë ka Llapi, i cili në kampionat nuk di për fitore qe tetë ndeshje.

Duelin e parë sezonal mes tyre e kishin fituar llapjanët ndaj therandasve me rezultat të pastër, 3:0.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat