Zëvendësministrja e Ministrisë për Kulturë, Rini dhe Sport, Daulina Osmani ka thënë se vdekja e futbollistit Erjon Morina është një humbje e madhe për futbollin kosovar pasi Erjoni kishte një të ardhme të ndritur përpara.
“Me pikëllim të thellë morëm lajmin për ndarjen e parakohshme nga jeta e futbollistit të ri të klubit të Vushtrrisë, Erjon Morina. Futbolli kosovar humbi një talent premtues, i cili kishte një të ardhme të ndritur përpara. Ngushëllimet më të sinqerta familjes Morina, klubit të Vushtrrisë, miqve të tij dhe gjithë komunitetit të futbollit në Kosovë. Qoftë i përjetshëm kujtimi për të”, ka shkruar Osmani në “Facebook”.
Lajmin për ndarjen nga jeta të futbollistit Erjon Morina e ka dhënë të enjten në mëngjes babai i tij, Ilir Morina.
Ai ka vdekur në moshën 22 vjeçare disa javë pasi kishte pësuar sulm kardiak gjatë stërvitjeve me klubin e futbollit Vushtrria.