I zhgënjyer nga “Djajtë”

Futboll

I zhgënjyer nga “Djajtë”

Më: 12 dhjetor 2024 Në ora: 12:40
Ruben Amorim

Ruben Amorim ka frikë se puna në stolin e Mançester Junajtid është më e vështirë se sa ai kishte menduar. Humbjet radhazi ndaj Arsenalit dhe Notingem Forestit në Premier Ligë, bënë që për portugezin të ishte vetëm hera e dytë që ai të pësonte dy humbje të njëpasnjëshme në kampionat si trajner.

Amorim nuk kishte humbur asnjë ndeshje lige gjatë gjithë vitit para se të mbërrinte në “Old Trafford”, dhe ju duhet të ktheheni në shkurt 2023 për të gjetur disfatën e tij të mëparshme në shtëpi në çdo kompeticion vendas. Por “ESPN” raporton se trajneri 39-vjeçar ka pranuar se me vendimet jopopullore të pronarit të ri Sër Xhim Retklif dhe shkarkimin e papritur të drejtorit sportiv Den Ashuorth, portugezi beson se puna është më e vështirë nga ajo që ai kishte menduar.

Junajtid ndodhet në vendin e 13-të në tabelë me 19 pikë pas 15 ndeshjesh, tetë më keq se në të njëjtën fazë të sezonit të kaluar, që rezultoi të ishte sezoni i tyre më i dobët në historinë e Premier Ligës. Por sot fokusi i tij është Liga e Europës, ku “Djajtë” luajnë në fushën e Viktora Plzenit, një ndeshje që trajneri e përshkroi si të detyruar për ta fituar: “Është shumë e rëndësishme që të fitojmë dhe jo vetëm që të fitojmë, por të luajmë edhe mirë.

Është një ndeshje që duhet fituar. Unë kam ndjerë, që nga dita e parë, mbështetjen nga të gjithë, kështu që largimi i një personi nuk ndryshon asgjë. Largimi i Ashuorth? Sigurisht që është një situatë e keqe siç thashë, sepse ju po flisni për një qenie njerëzore, një profesionist që na mbështet.

Si ekip, mendoj se gjëja më e rëndësishme është që vizioni të jetë vërtet i qartë dhe ai vizion nuk ndryshon vetëm sepse një person largohet. Qëllimi ynë është të fitojmë Premier Ligën. Ky është objektivi ynë. Sigurisht që ju mund të bëni llogaritë dhe mund ta kuptoni se për një klub të madh si ne është kaq e rëndësishme që të jetë në Ligën e Kampioneve, por qëllimi ynë është të fitojmë Premier Ligën, jo vetëm të shkosh në Ligën e Kampioneve përmes Ligës së Europës”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat