Nuk mungojnë kritikat pas humbjes së Manchester City ndaj Juventusit, në xhiron e gjashtë të fazës së grupit të Champions League (kjo ishte disfata e shtatë e “qytetarëve” në 10 ndeshjet e fundit, në të gjitha kompeticionet). Një nga kritikat më të forta vjen prej Jamie Carragher, ish-mbrojtës i Liverpool-it dhe kombëtares angleze, përmes mikrofonave të CBS:
“Çfarë po shohim është një krizë e madhe, diçka e pabesueshme. Trajneri më i madh, ndoshta i të gjitha kohërave, nuk ka përgjigje për ta kaluar këtë situatë. Ka provuar gjëra të ndryshme, sisteme të ndryshme loje, madje edhe duke ndryshuar pozicionet e lojtarëve, por pa rezultat.
Guardiola është i zoti dhe po lufton me të vërtetë për të kuptuar si ta ngrejë ekipin, por e ka të vështirë.
Nuk ka kaluar kurrë një situatë të tillë gjatë karrierës së tij dhe, për këtë arsye, nuk ka përvojë në këtë drejtim. Nuk ka asgjë mbi të cilën të mbështetet, sepse në të kaluarën e tij ka pasur vetëm suksese.
Ka gjasa që shumë trajnerë në botë po e shikojnë Pep-in me një buzëqeshje ironike në fytyrë. Nuk po kënaqen nga ajo që po kalon, të jemi të qartë, por mendojnë: Më në fund Guardiola po përjeton diçka që të gjithë ne e kemi kaluar në një moment të karrierës sonë”.