Cesena e vlerëson 15 milionë euro, disa klube e duan lojtarin shqiptar

Futboll

Cesena e vlerëson 15 milionë euro, disa klube e duan lojtarin shqiptar

Më: 12 dhjetor 2024 Në ora: 14:00
Kristian Shpendi

Në kombëtaren e Shqipërisë nuk ka zënë ende një vend, por në Itali emri i tij vazhdon të përmendet me frekuencë shumë të lartë.

Kristian Shpendi ia ka lejuar këtë vetes me paraqitje dhe gola, në fakt shumë të tillë në këtë sezon, teksa te skuadra e tij Cesena është realizuesi më i mirë me 10 gola në 14 ndeshje, duke regjistruar statistika mbreslënëse për një futbollist 21 vjeçar, gjë që ka tërhequr vëmendjen e klubeve të mëdha në Serie A dhe jo vetëm.

Fiorentina prej kohësh ndjek me interes ecurinë e sulmuesit, madje që në merkaton e janarit mund të prezantohet me një ofertë zyrtare, megjithatë mediat përtej Adriatikut vendosin në listën e pretendentëve edhe klube anglezë në PremierLeague dhe Championship.

Duke kuptuar se ka në dorë një “thesar”, Cesena i rinovoi kontratën, duke rritur ndjeshëm kërkesat e saj financiare dhe tashmë “Bardhezinjtë pretendojnë 15 milionë euro për kartonin e tij, megjithëse nga specialistët e “Transfermarkt”, ai vlerësohet 4 milion euro.

Por edhe me këtë shifër, Cesena do të bënte një biznes të mirë, duke patur parasysh se në vitin 2019, ende shumë të ri në moshë e bleu kartonin e Kristian Shpendit për vetëm 2500 euro nga amatorët e San Marino.

Sa i përket Kombëtares, sulmuesi ka luajtur vetëm me Shqipërinë U21, ndërsa ende nuk ka marrë një ftesë nga Sylvinho, që gjithsesi publikisht ka thënë se lojtari ndiqet me shumë interes.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat