Barça triumfoi në Dortmund, në një ndeshje ku ndërpreu serinë pozitive historike të Borussia-s në “Signal Iduna Park”. Një nga figurat kryesore të ndeshjes ishte padyshim Marc Casado, i cili me partneritetin e tij me Pedri arriti ta çonte ekipin drejt një fitoreje, që i rendit blaugranët në vendin e dytë, në një grup të ngjeshur të Champions League.
Në Champions League, shifrat e tij janë mbresëlënëse, jo vetëm për Barçën, por edhe në nivel të përgjithshëm të kompeticionit. Casadó është lojtari që tenton më shumë ndërhyrje në të gjithë garën (28) dhe që ka ndërhyrjet më të suksesshme (14), duke konfirmuar guximin e tij në fushë dhe vendosmërinë në rikuperimin e topave.
Ai është tërësisht i përkushtuar, gjë që pasqyrohet edhe në performancën maratonike, duke qenë lojtari i katërt me më shumë kilometra të përshkuara këtë sezon në Champions, me 71.1 km në 540 minutat e luajtura. Ai është pranë Hans Vanaken-it, mesfushorit të Club Brugge, i cili ka vrapuar vetëm 100 metra më shumë (71.2 km). Më larg janë Joshua Kimmich (Bayern Munich) me 75.1 km dhe Callum McGregor (Celtic), me 76.1 km të përshkuara.
Marc Casadó është një nga 12 lojtarët e dalë nga akademia “La Masia” që bëjnë pjesë në skuadrën e parë katalanase. Xavi ishte trajneri që i dha mundësinë të debutante në La Liga. Tani, pas mungesës së Marc Bernal, ai ka bërë një hap përpara dhe ka fituar rolin e titullarit në 17 nga 19 ndeshjet ku ka qenë i disponueshëm që nga 31 gushti.
E thënë ndryshe, është lojtari i tetë më i përdorur nga Hansi Flick. Kështu, Casadó vazhdon progresin e tij me hapa gjigantë drejt një vendi mes lojtarëve më të mirë të Europës, gjë që do të përpiqet ta dëshmojë më tej.