Të paktën janë të qetë deri në fund të sezonit.
Te Rubin i gëzohen faktit që Mirlind Daku nuk do të largohet në janar, por gjithsesi, trajneri Rashid Rahimov nuk rron me iluzione.
Tekniku, që e drejton skuadrën e Premier Ligës ruse që nga prilli i vitit të kaluar, e thotë hapur se klubi, ai vetë dhe tifozët duhet të jenë të përgatitur se herët apo vonë do të vijë momenti që yje të tillë si Daku apo Rozhkov do të ikin.
Në një intervistë në emisionin televiziv “Futbolli i Rusisë”, në kanalin kryesor të lajmeve, Rusia 24, Rahimov deklaroi se drejtuesit e Rubinit duhettë punojnë që tani për të gjetur një pasardhës për sulmuesin e kombëtares shqiptare.
Trajneri nga Taxhikistani pranoi se klubi nga Kazani nuk mund të konkurrojë me klubet më të fuqishëm të Premier Ligës ruse, apo me klube në Itali e Gjermani, ndaj duhen sjellë lojtarë të tjerë që të ruajnë nivelin.
Për Dakun besohet se ka interes nga klube pikërisht nga Italia e Gjermania, por ndoshta edhe nga Krasnodari e CSKA e Moskës në Rusi.
Rubini nuk dëshiron ta lëshojë pa 10 milionë euro, një shifër e rëndësishme për momentin në Rusi.
Sulmuesi kuqezi ka 9 gola e 4 asistë në 17 ndeshje në elitën ruse, dhe është një nga shënuesit më të mirë të vitit 2024 dhe të dy sezoneve të fundit..