Fonseca kritikoi titullarët

Futboll

Fonseca kritikoi titullarët

Më: 12 dhjetor 2024 Në ora: 18:11
Paulo Fonseca

Trajneri i Milanit, Paulo Fonseca, këtë mesjavë nuk pati frikë të fliste përpara kamerave. Tekniku i kuqezinjve deklaroi se disa lojtarë titullarë nuk po japin maksimumin.

Pavarësisht se nuk përmendi emra, në Milano dihet se ku është problemi. Mediat italiane raportojnë se Fonseca e ka seriozisht. Ai, madje, po mendon të provojë disa talente nga Milan Futuro.

Kush mund të jenë këta talente? I pari në listën e “Djallit” është Alex Jimenez si zëvendësues i Theo Hernandez.

Francezi duket i pamotivuar për të luajtur me fanellën kuqezi. Jimenez ka luajtur me Piolin, por ende jo me trajnerin Fonseca. Po i vjen dita.

Problemi i dytë për Milanin është se nuk ka ende mesfushorë të aftë, të cilët garantojnë qëndrueshmërinë e duhur për të zëvendësuar dy titullarët e mesfushës, Youssouf Fofana dhe Tijjani Reijnders.

Kështu, ylli i Italisë U21, Kevin Zeroli, mund të jetë një opsion i ri, pa harruar transferimin e verës, Silvano Vos, i afruar nga Ajax. Më në ofensivë, Milani ka një lojtar të Italisë U17, Mattia Liberali, i cili patjetër që do të konsiderohet për të ardhmen.

Fonseca në krahët e sulmit mund të provojë talentin Chaka Traore. Kur ishte te Parma, ai ka bërë disa paraqitje në Serie A. Ai ka shënuar për herë të parë me skuadrën e parë të Milanit në fitoren 4-1 kundër Cagliari në Kupën e Italisë (2023).

Sigurisht, nuk mund të harrohet talenti Francesco Camarda në sulm. Ai është ende adoleshent (16), por pritshmëritë për të janë të jashtëzakonshme.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat