Në asnjë rast tjetër nuk e kemi parë Pep Guardiolën në një moment të vështirë si tani në karrierë. Në 10 ndeshjet e fundit, Manchester City numëron vetëm një fitore.
Është mëse e qartë se diçka po shkon keq te “qytetarët” dhe kjo nuk lidhet vetëm me mungesën e Rodrit. Fabio Capello ka parashikuar fundin e Guardiolës te Manchester City dhe e konsideron si një kapitull të mbyllur.
Për trajnerin e njohur, nuk ka asnjë zgjidhje të vetme për të dalë nga kjo situatë dhe që Manchester City të rikthehet si dikur me Guardiolën.
“Tani të gjithë përballen me Cityn me më shumë guxim, sepse ata e pasojnë topin pa asnjë kuptim, ata gjithmonë luajnë të njëjtën lojë.
Haland nuk mori një pasim të vetëm, a do të provoni diçka ndryshe? Manchester City është i ngadaltë në mendje dhe në lojë, nuk e kanë më shpejtësinë e dikurshme, nuk kanë më lojtarë që bëjnë diferencën, nuk kanë më fizikun që e vendos kundërshtarin në vështirësi.
Më përpara kur e humbnin topin e fitonin menjëherë, tani nuk është më kështu. Nuk e kanë më dinamizmin e dikurshëm, Haland nuk mori një krosim, e përsëris.
Nuk e di se çfarë këshille mund t’i jap Guardiolës për të dalë nga kjo situatë, sinqerisht nuk e di nëse ka ndonjë këshillë. Ndoshta pas gjithë këtyre viteve, lojtarët nuk e durojnë dot më Guardiolën sepse ka ardhur një moment i caktuar që Guardiola nuk ka asgjë të re për t’i dhënë atyre”, tha Capello.