Guardiola: Shpirtin e kemi ende aty

Futboll

Guardiola: Shpirtin e kemi ende aty

Më: 15 dhjetor 2024 Në ora: 11:56
Pep Guardiola

Pep Guardiola deklaroi se shpirti i skuadrës së tij ishte aty, ndërsa trajneri mezi e pret derbin e madh në “Etihad” të dielën.

Kampionët në fuqi do të mirëpresin rivalët e Junajtid pas rezultateve të vështira për të dyja skuadrat, me “Qytetarët” e goditur nga dëmtimet dhe që ka fituar një nga 10 ndeshjet e tyre fundit në të gjitha kompeticionet. Kjo ka qenë një periudhë sfiduese për katalanasin, i cili foli me pasion dhe krenari në konferencë.

“Shpirti i kësaj skuadre është aty”, tha Guardiola.

“Jam i trishtuar për lojtarët për mënyrën se si vrapojnë dhe luftojnë në rrethana. Dhe sigurisht, tifozët tanë janë ndoshta të trishtuar tani.

E kuptoj, nuk jemi mësuar me të. E di dhe e kuptoj plotësisht se tifozët tanë mund të jenë të trishtuar. Ky grup lojtarësh kanë bërë një epokë dhe kanë bërë gjëra që askush tjetër nuk i ka bërë. Kanë thyer rekorde. Thjesht u bëj thirrje mbështetësve që të jenë aty deri në fund. Këtë grup lojtarësh do ta mbështesin deri në fund, sepse e meritojnë. Unë jam i njëjti, të gjithë njerëzit janë po ata. Ndonjëherë, në momentet dhe kohët e këqija, duhet të vazhdosh të punosh.

Problemi është momenti i keq, jo ti. Problemi është kalendari”. Ai vlerësoi edhe rivalin Amorim, i cili e mundi në Champions një muaj më parë me Sportingun.

“Ndikimi i tij te Junajtid është tashmë aty. Të gjitha modelet ai ka nisur t’i aplikojë. Lëvizja dhe ritmi është shumë i mirë. Ai do të bëjë një punë të mirë, jam shumë i sigurt për këtë”.

Pastaj edhe një batutë për humbjen 4-1 kundër Sportingut kur e pyetën nëse ajo do të ketë një ndikim të dielën: “Jam i sigurt se do të ketë ndikim, si ndeshja që fituam 5-0 kundër Sportingut disa sezone më parë. Nga ajo do të kemi nxjerrë edhe mësime. Do të doja të luaja ndeshjen të dielën siç luajtëm në Lisbonë, më besoni”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat