Pep Guardiola deklaroi se shpirti i skuadrës së tij ishte aty, ndërsa trajneri mezi e pret derbin e madh në “Etihad” të dielën.
Kampionët në fuqi do të mirëpresin rivalët e Junajtid pas rezultateve të vështira për të dyja skuadrat, me “Qytetarët” e goditur nga dëmtimet dhe që ka fituar një nga 10 ndeshjet e tyre fundit në të gjitha kompeticionet. Kjo ka qenë një periudhë sfiduese për katalanasin, i cili foli me pasion dhe krenari në konferencë.
“Shpirti i kësaj skuadre është aty”, tha Guardiola.
“Jam i trishtuar për lojtarët për mënyrën se si vrapojnë dhe luftojnë në rrethana. Dhe sigurisht, tifozët tanë janë ndoshta të trishtuar tani.
E kuptoj, nuk jemi mësuar me të. E di dhe e kuptoj plotësisht se tifozët tanë mund të jenë të trishtuar. Ky grup lojtarësh kanë bërë një epokë dhe kanë bërë gjëra që askush tjetër nuk i ka bërë. Kanë thyer rekorde. Thjesht u bëj thirrje mbështetësve që të jenë aty deri në fund. Këtë grup lojtarësh do ta mbështesin deri në fund, sepse e meritojnë. Unë jam i njëjti, të gjithë njerëzit janë po ata. Ndonjëherë, në momentet dhe kohët e këqija, duhet të vazhdosh të punosh.
Problemi është momenti i keq, jo ti. Problemi është kalendari”. Ai vlerësoi edhe rivalin Amorim, i cili e mundi në Champions një muaj më parë me Sportingun.
“Ndikimi i tij te Junajtid është tashmë aty. Të gjitha modelet ai ka nisur t’i aplikojë. Lëvizja dhe ritmi është shumë i mirë. Ai do të bëjë një punë të mirë, jam shumë i sigurt për këtë”.
Pastaj edhe një batutë për humbjen 4-1 kundër Sportingut kur e pyetën nëse ajo do të ketë një ndikim të dielën: “Jam i sigurt se do të ketë ndikim, si ndeshja që fituam 5-0 kundër Sportingut disa sezone më parë. Nga ajo do të kemi nxjerrë edhe mësime. Do të doja të luaja ndeshjen të dielën siç luajtëm në Lisbonë, më besoni”.