Medon Berisha duket se ka pasur nevojë për pak kohë për të bindur Marko Xhampaolon se sa vlen. Mesfushori shqiptar ka lënë pas dëmtimin dhe brenda pak ditësh, ka bindur teknikun e njohur italian, i cili në të kaluarën ka drejtuar edhe Milanin, që t’i besojë një vend në formacion.
Një vend të cilin ai duket se ia ka marrë Ramadanit, i cili ka përfunduar në stol. Por kjo ishte zgjedhja e duhur sot për Leçen, pasi Berisha ishte protagonist me asist në fitoren 2-1 ndaj Monzës. Në fund të ndeshjes, vetë trajneri Xhampaolo ka shpjeguar se pse Berisha po luan titullar në radhët e ekipit të tij.
“Për mua është një lojtar i kompletuar. Në këtë moment ndoshta është i vetmi mes mesfushorëve që ka disa karakteristika të caktuara. Në një mesfushë si e jona, një lojtar i tillë duhet të jetë gjithmonë.
Faza mbrojtëse bëhet edhe duke mbajtur topin. Vendosa në fushë Helgason dhe Rebiç pikërisht për këtë arsye. Nëse vendos mbrojtës e mesfushorë mbrojtës, atëherë i dorëzohesh kundërshtarit. Berisha ndoshta është lojtari që ka më shumë gjeometri”, tha Xhampaolo pas ndeshjes së sotme.