Jo vetëm me Kosovën, skandal edhe me hartën e Ukrainës

Futboll

Jo vetëm me Kosovën, skandal edhe me hartën e Ukrainës

Më: 15 dhjetor 2024 Në ora: 19:30
Ukraina

Përpos që bëri skandal të madh me Kosovën, FIFA e ka bërë një skandal edhe me Ukrainën.

Gjatë ceremonisë së tërheqjes së shortit për kualifikimet e Kupës së Botës, FIFA ka përdorur harta skandaloze: Në atë hartë, Kosova ishte paraqitur si pjesë e Serbisë, ndërsa me të njëjtat harta, shtëpia e futbollit botëror ka ngjallur pakënaqësi edhe në Ukrainë.

Kjo për faktin se në hartë Krimea nuk ishte paraqitur si pjesë e Ukrainës.

Kjo ka ngjallur reagime të shumta dhe të ashpra në Ukrainë, duke filluar prej tifozëve e federatës ukrainase, e deri te institucionet më të larta të shtetit.

Ukrainasit kanë kërkuar sqarime nga FIFA, të cilës i kanë bërë thirrje që të kërkoj falje publike.

E këtë në njëfarë forme e ka bërë FIFA, e cila përmes një letre që ia ka kthyer Federatës Ukrainase të Futbollit, i ka dhënë sqarime në lidhur me rastin.

Në këtë letër, FIFA arsyetohet se hartat i ka bërë një kompani e jashtme e kontraktuar nga ta.

Në letrën e FIFA-s thuhet:

“Konfirmojmë marrjen e letrës suaj të datës 13 dhjetor 2024 dhe dëshirojmë t’ju falënderojmë që na keni vënë në dijeni për këtë çështje.

Ne e respektojmë thellësisht shqetësimin e shprehur nga Federata e Futbollit të Ukrainës dhe e kuptojmë ndjeshmërinë e kësaj çështjeje. Harta infografike, për të cilën bëhet fjalë, është krijuar nga një palë e tretë – një kontraktor i jashtëm për ofrimin e shërbimeve përkatëse.

Sapo u konstatua problemi, morëm menjëherë masa për zgjidhjen e situatës, përfshirë largimin e imazhit nga përdorimi.

Gjithashtu, po kryejmë një hetim të brendshëm për t’u siguruar që gabime të tilla të mos ndodhin më në të ardhmen.

Ne jemi plotësisht të vetëdijshëm për delikatesën e kësaj çështjeje dhe, ndonëse incidenti ishte i paqëllimshëm, ndiejmë sinqerisht keqardhje për çdo dëm moral që mund të ketë shkaktuar dhe vlerësojmë mirëkuptimin tuaj, ndërsa ne punojmë me përgjegjësi për të zgjidhur këtë situatë.

Ju lutemi, mos hezitoni të na kontaktoni nëse keni nevojë për sqarime shtesë ose nëse dëshironi të diskutoni më gjerë këtë çështje në të ardhmen,” thuhet në letrën e nënshkruar nga Elhan Mammadov, kreu i marrëdhënieve me shoqatat anëtare të FIFA-s.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat