Milani ka festuar sot 125-vjetorin e tij me një ceremoni të veçantë para ndeshjes ndaj Xhenoas në Serinë A.
Kuqezinjtë kanë ftuar disa nga legjendat e këtij klubi, duke futur në “Hall of Fame” emrat e Inzagit dhe Van Basten, teksa tribuna ishte mbushur me emra të njohur të së kaluarës si Gulit, Rajkard, Sedorf, Evani, Pirlo, Donadoni, etj.
Tifozët nuk kanë kursyer duartrokitjet për ta, sidomos kur në fushë zbritën Inzagi e Van Basten, duke rikthyer edhe një herë koret për sulmuesit që bënin të gjëmonte “San Siro” gjatë ndeshjeve kur ata ishin protagonistë.
“Nderojmë kampionët tanë, simbole të një Milani që nuk ekziston më”, ishte parulla polemizuese që u hap nga ultrasit kuqezi në tribunë në ato momente.
Dhe për të treguar se sa kundër janë ndaj mënyrës se si po drejtohet klubi, në momentin kur ekrani i madh i stadiumit fokusoi Ibrahimoviç në tribunë, shpërthyen vërshëllimat nga i gjithë “San Siro”. Një festë me polemika, që tregon edhe një herë momentin delikat të klubit kuqezi.