Broja buzëqesh përsëri: E lash pas dëmtimin, i jam borxhli Evertonit

Futboll

Broja buzëqesh përsëri: E lash pas dëmtimin, i jam borxhli Evertonit

Më: 16 dhjetor 2024 Në ora: 13:01
Broja

Sulmuesi shqiptar u bashkua me Evertonin në formë huazimi nga blutë e Londrës ditën e fundit të afatit kalimtar të verës, por kishte pësuar një lëndim në këmbë gjatë përgatitjeve parasezonale.

Për pasojë nuk luajti dot deri para dy javësh me ekipin e drejtuar nga Sean Dyche.

Përfundimisht, Broja e bëri debutimin e tij për Evertonin në fitoren 4-0 kundër Wolves, duke hyrë si zëvendësues i Dominic Calvert-Lewin.

Po si zëvendësues luajti ndaj Arsenalit, fundjavën e kaluar, në barazimin pa gola ndaj “topçinjve” të Londrës.

23-vjeçari shqiptar ndihet mirë tashmë, gati për ta ndihmuar klubin ku është huazuar, ndaj të cilit thotë se është shumë borxhli.

Duke folur për “Liverpool Echo”, sulmuesi shqiptar u shpreh mes të tjerash:

“Edhe sulmuesit e tjerë këtu janë të shkëlqyer. Ata janë tek Evertoni për një kohë të gjatë, veçanërisht Dom e njeh klubin përmendsh. Edhe tifozët e njohin atë përmendsh, është një person i shkëlqyer për të mësuar prej tij, gjithashtu. Ai më ka inkurajuar në stërvitje, më ka ndihmuar shumë. Është mirë ta shtyjmë njëri-tjetrin përpara dhe të ushtrojmë presion, e konsideroj marrëdhënie të shëndetshme për ta pasur.

Ai gjithmonë më jep këshilla. Mund të mësojë gjëra nga unë, edhe unë mund të mësoj nga ai, gjithashtu. Para së gjithash përpiqem të bëj lojën time. Jam padyshim një djalë i fortë, më pëlqen të vrapoj dhe të dal shpejt në kundërsulme. Kam qenë te Chelsea gjatë gjithë jetës sime, por dua ta tregoj veten këtu tek Evertoni, një klub i madh.

Pritshmëritë janë të larta, por më pëlqen të kem presion, sepse më jep energji dhe më bën të luaj më mirë. Drejtuesit, stafi dhe shokët e skuadrës më bënë të ndihem i mirëpritur këtu. Të gjithë ishin shumë të mirë me mua, më bënë të ndihesha si njëri nga lojtarët e vjetër menjëherë. Ata më ndihmuan për lëndimin gjithashtu, sepse nuk është proces i lehtë kur vjen në një klub të ri dhe je i dëmtuar. Doja të angazhohesha menjëherë, të stërvitesha me shokët e ekipit, t’i ndihmoja bashkëlojtarët dhe trajnerin, por natyrisht nuk mundesha. Më duhej të isha shumë i durueshëm.

Po kaloja një periudhë të vështirë me lëndimin tim. Evertoni ka shfaqur shumë interes për mua dhe më ka mbështetur, ndaj i detyrohem shumë klubit. Këtu më ndihmuan shumë për lëndimin dhe më rikthyen në formë. Më bënë të qesh përsëri në fushë, iu jam shumë mirënjohës. E kalova atë proces rikuperimi dhe tani ndihem mirë.

Vazhdimësia ka rëndësi për çdo futbollist, nuk është thjesht dëshira për të luajtur futboll. Me rëndësi është të jesh në fushë, të bësh atë punë që do. Tani mund të luaj përsëri në fushë me buzëqeshje në fytyrë, ta ndihmoj ekipin.

Pika e çmuar ndaj Arsenalit? Nuk është e lehtë të vish këtu dhe të barazosh. Arsenali është një klub i madh, ka një ekip shumë të mirë gjithashtu. Djemtë luftuan shumë, ishte një pikë e merituar. Ndoshta mund të kishim marrë më shumë nga loja në 10 minutat e fundit, sepse kur ata po shtynin fort përpara, kishim mundësi shënimi. Në përgjithësi ishte një paraqitje e mirë nga ne, sidomos në mbrojtje. Bëmë shumë mirë dhe jam i lumtur që dhashë kontributin tim.

Kur trajneri më tha të hyja, e dija që do të ishte një lojë paksa e turbullt, sepse ata po shtynin përpara, donin të shënonin patjetër. Ne dëshironim të krijonim mundësi, por u gjendëm shumë nën presion.

Kishim nevojë për dikë që të dilte në kundërsulm dhe ta mbante topin, të mund të fitonte faulle. Përpiqem ta luaj rolin tim dhe mendoj se bëra mirë, ndaj isha i lumtur që mora disa faulle dhe e shtyva sadopak ekipin lart në fushë. Kur trajneri më thërret, unë përpiqem të ndihmoj sa më shumë që mundem”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat