Të dielën u zhvilluan 2 ndeshje që përmbyllën javën e 17-të të Albi Mall Superligës së Kosovës, e cila solli emocione dhe rezultate interesante.
Në derbin e qytetit, skuadra e Gjilanit siguroi fitore të çmuar ndaj rivalit të përjetshëm, Dritës, me rezultat minimal 1:0. Goli vendimtar u shënua nga Armend Thaqi në minutën e 87-të. Ai realizoi një supergol nga distanca, duke e çuar skuadrën e tij në vendin e gjashtë me 21 pikë.
Pavarësisht humbjes, Drita mbetet lidere në tabelë me 37 pikë pas 17 ndeshjeve, shtatë pikë më shumë se Ballkani që pozicionohet në vendin e dytë. Kjo ishte vetëm disfata e dytë për skuadrën e drejtuar nga Ardian Nuhiu, në këtë edicion.
Në anën tjetër, Prishtina pësoi humbje në stadiumin “Rexhep Rexhepi” në Drenas, ku u mposht nga skuadra e fundit në renditje, Feronikeli 74, me rezultat 1:0. Për skuadrën nga Drenasi, kjo ishte fitorja e dytë në këtë edicion.
Golin e fitores e realizoi sulmuesi grek Nikolaos Ioannidis në minutën e 22-të.
Prishtina, e cila kishte një seri prej tetë ndeshjesh pa humbje në të gjitha garat, nuk arriti të ruajë formën e saj. Në minutën e 72-të, Feronikeli 74 kishte një gol të anuluar nga Armend Gashi, ndërsa edhe Prishtina mendoi se fitoi një penallti në minutën e 80-të, por pas rishikimit me VAR, vendimi u ndryshua.
Pas kësaj disfate, Prishtina mbetet në pozitën e katër me 26 pikë, një më shumë se Suhareka që pozicionohet në vendin e pestë. Ndërkohë, Feronikeli 74 ka arritur të regjistrojë katër ndeshje radhazi pa humbje, duke grumbulluar 10 pikë gjithsej, duke dëshmuar kësisoj se nuk ka hequr dorë nga lufta për mbijetesë.