Phil Foden ka thënë se skuadra e Manchester City vazhdon të besojë te trajneri Pep Guardiola, pavarësisht humbjes së fundit ndaj Manchester United, që e ka zgjatur serinë negative të rezultateve.
Disfata 2-1 në derbin e Manchester të dielën në "Etihad Stadium" e ka çuar në tetë numrin e humbjeve në njëmbëdhjetë ndeshjet e fundit për City në të gjitha garat. Aktualisht në vendin e pestë në tabelën e Premier League, kampioni në fuqi është nëntë pikë larg Liverpool, që kryeson dhe ka një ndeshje më pak.
Megjithatë, Foden është shprehur se Guardiola, i cili kohët e fundit e ka rinovuar kontratën për dy vite të tjera, e ka mbështetjen e plotë të skuadrës.
"Ende nuk jemi në nivelin tonë, por unë besoj se po luajmë mjaftueshëm mirë për të marrë pikë dhe rezultate. Është çështje fokusimi për 90 minuta të plota, por shpesh shkëputemi në momentet më të rëndësishme. Duhet ta rregullojmë këtë. Ne qëndrojmë të bashkuar, rigrupohemi dhe besojmë te vetja pas asaj që kemi arritur në të kaluarën. Vazhdojmë të besojmë te procesi dhe te trajneri, jam i sigurt se nëse e bëjmë këtë, do të rikthehemi te fitoret dhe niveli ynë i zakonshëm", ka thënë Foden.