Lookman shpallet futbollisti më i mirë në Afrikë për vitin 2024

Futboll

Lookman shpallet futbollisti më i mirë në Afrikë për vitin 2024

Më: 17 dhjetor 2024 Në ora: 07:07
Sulmuesi nigerian Ademola Lookman

Sulmuesi nigerian Ademola Lookman është shpallur futbollisti më i mirë i Afrikës për vitin 2024 nga Konfederata Afrikane e Futbollit, në ceremoninë e zhvilluar të hënën.

Njëzet e shtatë vjeçari kishte shënuar "hat trick" në finalen e Europa League, ku skuadra e tij Atalanta kishte triumfuar ndaj Bayer Leverkusen në Dublin. Përveç kësaj, sulmuesi nigerian kishte kontribuar për Kombëtaren e Nigerisë, duke e ndihmuar të arrijë në finalen e Kupës së Kombeve të Afrikës, ku kishte realizuar tri gola.

"Ky çmim është një bekim, të njihesh si lojtari më i mirë në Afrikë është diçka e pabesueshme", ka thënë Lookman. "Katër vite më parë, karriera ime ishte në rënie, por tani jam këtu si lojtari më i mirë në Afrikë. Mos lejoni që dështimet t'ju ndalojnë ëndrrat".

Në garën për këtë çmim, Lookman ka mposhtur lojtarë si Achraf Hakimi, Serhou Guirassy, Simon Adingra dhe Ronwen Williams.

Çmimi është vendosur përmes votave të një paneli që përfshinte trajnerët dhe kapitenët e ekipeve kombëtare.

Me këtë arritje, Lookman është bërë nigeriani i shtatë që fiton këtë çmim, duke pasuar fituesin e vitit të kaluar, Victor Osimhen. Lista e nigerianëve që kanë fituar më parë përfshin emra si Nwankwo Kanu (dy herë), Emmanuel Amunike, Victor Ikpeba dhe Rashidi Yekini.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat