Ish lojtari shqiptar: Po, kam qenë në Beograd

Futboll

Ish lojtari shqiptar: Po, kam qenë në Beograd

Më: 17 dhjetor 2024 Në ora: 11:04
Edmond Kapllani

 Ish-sulmuesi Kapllani: “Lufta” është me Serbinë, kemi 50% shanse! Para 10 vitesh ishte ndeshje politike…

Interesante qëlluan goglat e shortit për Shqipërinë në kualifikueset e Botërorit. Kombëtarja do të përballet me Serbinë, Anglinë, Letoninë dhe Andorrën.

Përpos vështirësisë së çdo ndeshjeje, nga ana emocionale, ajo që i kalon ato është pikërisht përballja me Serbinë, duke kujtuar atë ndeshje të dhjetë viteve më parë.

Një nga protagonistët, duke qenë me skuadrën në Beograd, është edhe Edmond Kapllani.

Ish- sulmuesi tregon për “Panorama Sport” tmerrin e Beogradit, si edhe bën analizën e tij për duelin që pritet të luhet, Anglinë dhe shanset që ka ekipi përfaqësues për t’u kualifikuar në Botëror.

Kapllani, ju keni qenë i pranishëm në Beograd në ndeshjen e famshme të 14 tetorit 2014, çfarë kujtoni nga ajo kohë?

Po, kam qenë në Beograd. Mund ta përshkruaj si një ndeshje shumë specifike për ekipin kombëtar sepse u bë më shumë politike sesa sportive.

Po të rikthehemi pak në fushë, deri në momentin që u ndërpre ndeshja, ishte e barabartë lojë sepse edhe ne kishim ato rastet tona. Po të flasim nga ana e emocioneve, kanë qenë shumë të larta dhe kam pasur një ndjesi frike kur hipëm në avion me thënë të drejtën.

Kanë qenë emocione shumë negative, por emocione pozitive përjetuam në Tiranë kur na pritën si heronj. Janë emocione që gjithë shqiptarët i kanë përjetuar, tifozët në televizor, ndërsa unë aty në fushë.

Dua t’ju pyes, po nga ana e cilësive të futbollistëve si jemi ne në raport me Serbinë?

Ne jemi në një stad tjetër sepse kemi arritur të konsolidohemi në Europë me këtë grup lojtarësh dhe kualifikimi në Europian na ka ndihmuar shumë.

Po ashtu kemi edhe një brez të ri futbollistësh, të ndërthurur me lojtarë me eksperiencë. Unë e shoh një ndeshje 50 me 50. Siç thashë, është një ndeshje që do të luhet si e barabartë dhe kush të ketë fatin me vete dhe të jetë në ditën më të mirë, do të fitojë.

Nuk shoh ndonjë favorite. Si jo favorite do të jesh në ndeshjen me Anglinë. Ndërsa përveç këtyre të dyjave, në ndeshjet e tjera do të hyjë Shqipëria si favorite në fushë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat