Dhembje koke

Futboll

Dhembje koke

Më: 17 dhjetor 2024 Në ora: 11:14
Jamal

Barcelona e ka paguar shtrenjtë bastin e saj për të mbajtur për më shumë se një orë në lojë Lamin Jamalin kundër Leganes të dielën në mbrëmje, ndërkohë që vetë lojtari kishte kërkuar zëvendësimin e tij si pasojë e dhimbjeve në kaviljen e këmbës së djathtë.Lamin Jamal (17 vjeç) do të jetë jashtë për tre deri në katër javë, që do të thotë se ai ka mbyllur vitin dhe takimet e para të vitit të ri.

Kjo është konfirmuar nga Barcelona pasi ylli i saj iu nënshtrua testeve mjekësore mëngjesin e së hënës në “Ciutat Esportiva Joan Gamper” pas dëmtimit që pësoi kundër Leganes.

“Lojtari i ekipit të parë Lamin Jamal pësoi traumë në kyçin e këmbës së djathtë gjatë ndeshjes kundër Leganes. Testet e kryera mëngjesin e sotëm kanë treguar një dëmtim të shkallës së parë të ligamentit të përparmë intertibio-fibular. Koha e përafërt e mungesës do të jetë nga 3 deri në 4 javë”, njoftoi klubi katalanas pas ekzaminimeve mjekësore të mbikëqyrura nga doktor Rikard Pruna, shefi i shërbimeve mjekësore për ekipin e parë të Barcelonës.

Dëmtimi në kaviljen e djathtë është i dyti radhazi në po të njëjtën vend. Më parë ai u dëmtua në Ligën e Kampioneve në nëntor në Beograd kundër Cërvena Zvezdës që e mbajti për disa javë larg fushave. Sikurse pritet të ndodhë edhe tani.

Kështu, ai do të humbasë një seri takimesh të rëndësishme, duke nisur nga kjo e kësaj të shtune kundër Atletikos së Madridit, rival i drejtpërdrejtë në garën për titull. Por duke parë ecurinë e dëmtimit të shkuar, ka shumë gjasa që anësori i Barçës të mos kthehet të paktën deri në Superkupën e Spanjës, e cila do të luhet në javën e dytë të janarit në Arabinë Saudite. E sigurt është se Lamin, veç Atletikos do të humbasë edhe ndeshjen e Kupës së Mbretit kundër Barbastro në javën e parë të janarit 2025.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat