Ultimatum te Flamurtari

Futboll

Ultimatum te Flamurtari

Më: 17 dhjetor 2024 Në ora: 12:10
Andrea Agostineli

Flamurtari është “i dënuar” për të fituar. Gjashtë pikë në dy ndeshjet e fundit të këtij viti. Ky është ultimatumi që ka vendosur klubi për ekipin.Kjo do të thotë se sot nuk lejohet asnjë blof në Fier përballë Apolonisë.

Gjithashtu, fitorja do të kërkohet edhe në ndeshjen e fundit të vitit me Valbonën në transfertë. Një humbje do t’i kushtojë shumë së pari trajnerit Andrea Agostineli.

Klubi do të rishikojë bashkëpunimin me italianin në rast dështimi. Ndërsa i papranueshëm është edhe barazimi. Një dështim në këto dy ndeshje do të ishte fatale edhe për disa futbollistë titullarë, me të cilët në janar mund të prishet kontrata.

TRAJNERI AGOSTINELI – Kreu i pankinës vlonjate, Andrea Agostineli, e di fare mirë rëndësinë e këtyre dy ndeshjeve të fundit, ndoshta edhe se aty mund të varet e ardhmja e tij. Për “Panorama Sport”, italiani foli sërish dje në prag të ndeshjes me Apoloninë, që do të luhej të dielën por u shty për shkak të kushteve të motit. Agostileni thekson, se në këtë kampionat nuk duhet tri, por katër pikë. “Është një ndeshje shumë e rëndësishme. E respektojmë shumë kundërshtarin, por duhet që ne të fitojmë. Skuadra është në një situatë shumë të mirë. Paraqitjet e fundit i ka bërë shumë të mira. Edhe në ndeshjen që humbëm me Vorën, ne kishim një paraqitje shumë të mirë. Mendoj se jemi mirë. Sikur në lojë të ishin katër pikë, sërish do t’i merrja. Por në këtë kampionat duhen katër pikë, se ndryshe…”, shprehet italiani.

DËMTIMET – Andrea Agostinelin e shqetëson fakti se nuk ka një ekip të plotë dhe mbi të gjitha gjatë gjithë kësaj kohe e kanë përndjekur nga pas dëmtimet. Ashtu sikundër gazeta zbuloi në shkrimin e djeshëm se Idriz Batha dhe Albi Alla e kanë mbyllur vitin dhe se mund të jenë gati vetëm në janar.

Për “Panorama Sport”, Agostineli tha se e shqetësojnë mungesat që ka për shkak të dëmtimeve, por beson te lojtarët që ka në dispozicion, të cilët sipas italianit kanë cilësi të ngjashme. “Natyrisht që më shqetësojnë mungesat dhe lojtarët e dëmtuar. Ata kanë cilësi të veçanta dhe sikundër e kam deklaruar që në rastet kur kemi pasur luhatje, ndoshta ato na kanë ardhur edhe nga mungesa e lojtarëve, ashtu sikundër edhe nga mungesa e Bathës.

Por edhe mungesa e lojtarëve të tjerë është po kaq e rëndësishme. Megjithatë, kemi elementë shumë të rëndësishëm që janë në stol dhe që sa herë që marrin minuta bëjnë mjaft mirë”, u shpreh trajneri Agostineli. Ky i fundit, nuk do të jetë sot në stol me Apoloninë për shkak të dënimit nga Disiplina. Agostineli do ta ndjekë ndeshjen nga tribuna. Flamurtari në këtë sfidë do të ketë trajner Lejdi Liçajn. Ndihmës i Liçaj në stol do të jetë Andi Ribaj. Në ndihmë të tyre edhe drejtori i klubit, Alfred Ferko.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat