Ndoshta asnjë turne tjetër në historinë e futbollit botëror nuk ka një histori aq të rastësishme sa Kupa Interkontinentale, e cila këtë të mërkurë rikthehet në skenë me duelin mes Real Madridit dhe Pachuca në Doha.
Kanë kaluar 20 vite nga ndeshja e fundit e Kupës Interkontinentale, e fituar nga Porto e José Mourinhos. Klubi portugez regjistroi për herë të parë emrin e tij në një listë të dominuar nga 5 klube, mes të cilëve spikasin Real Madridi dhe Peñarol i Montevideos, protagonistët e finales së parë.
Finalja, që synonte të përcaktonte “skuadrën më të mirë në botë” (një konsideratë e pranuar më vonë zyrtarisht nga FIFA), u zhvillua me sistemin e dy ndeshjeve, fillimisht në Uruguaj dhe më pas në Spanjë. Real Madridi ishte kampioni i parë, duke fituar me rezultatin e përgjithshëm 5-1.
Turneu fitoi shpejt prestigj, duke qenë padyshim më i vlerësuar në Amerikë sesa në Europë. Ekipet hispano-amerikane e dominuan atë në vitet ‘60, para se të vinte “kriza” e parë e Interkontinentale-s. Në vitet ‘70, turneu nuk u zhvillua në dy raste, për shkak të dyshimeve të kampionëve europianë ndaj “intensitetit” të tepërt të aplikuar nga ekipet latine në ndeshje.
Madje, në pesë raste, pas tërheqjes së kampionëve të Kupës së Europës, përfaqësuesit e Kontinentit të Vjetër ishin nënkampionët. Për këtë arsye, Atlético Madrid u shpall kampion bote në vitin 1974, në një finale ndaj Independiente, që nuk ishte për zemra të dobëta…
Ishte e qartë që turneu kishte nevojë për një ndryshim. Ky ndryshim ndodhi në vitin 1980, kur ‘Toyota’ mori përsipër sponsorizimin dhe Japonia organizimin e eventit, që tashmë zhvillohej me një ndeshje të vetme.
Nacional ishte kampioni i parë në stadiumin olimpik të Tokios, i cili ishte skenë e Interkontinentale-s deri në vitin 2002, kur u zhvendos në Yokohama. Në atë turne të parë larg kryeqytetit japonez, Real Madridi fitoi titullin e tretë, 2-0 ndaj Olimpia së Asuncionit, pas triumfit të vitit 1998 në Tokio ndaj Vasco de Gama, falë golit të famshëm “aguanís” të Raúl. Tre titujt e Real Madridit e barazonin atë në rekord me Peñarol, Milan, Boca dhe Nacional.
Në vitin 2000, FIFA organizoi paralelisht me Interkontinentale (që atë vit Real Madridi e humbi ndaj Boca Juniors) të parin Botëror të Klubeve, në të cilin Real Madridi dhe Manchester United ishin përfaqësuesit europianë. Ideja e FIFA-s ishte të përfshinte në këtë turne të gjitha Konfederatat e saj, duke lënë mënjanë rivalitetin tradicional midis UEFA-s dhe CONMEBOL-it.
Kampioni i parë ishte Corinthians i Brazilit, por ideja nuk pati sukses për arsye ekonomike. Ndër të tjera, sepse “Toyota” refuzoi të dyfishonte sponsorizimin, pasi vazhdonte të mbështeste “Kupën e vjetër Interkontinentale”.
Pavarësisht konkurrencës së organizuar nga vetë FIFA, Interkontinentale vazhdoi të luhej deri në vitin 2004, me triumfin e përmendur të Portos. Në vitin 2005, FIFA e ringjalli idenë e Botërorit të Klubeve, tashmë me baza më të forta ekonomike, sponsorizimi dhe marketingu.
Pra, turneu i ri e përthithi atë të mëparshmin. Edicioni i parë i turneut “të bashkuar”, që vazhdoi të zhvillohej në Japoni, u fitua nga Santos. Barcelona ishte skuadra e parë spanjolle që e fitoi atë (2009), për ta përsëritur këtë sukses edhe dy herë të tjera, përpara se Real Madridi ta shtrinte hegjemoninë e tij në “Botëror”, ashtu si në Kupën e Europës, me 5 tituj në 8 vite.
Tani, me hyrjen në skenë të “super” Botërorit të Klubeve të FIFA-s, një turne i ngjashëm me Kupën e Botës për kombëtaret, që do të zhvillohet për herë të parë në fund të sezonit 2024-2025 në SHBA (ku Real Madridi dhe Atlético Madridi do të jenë përfaqësuesit spanjollë), është mundësuar kthimi në skenë i Kupës Interkontinentale, me Lindjen e Mesme si qendër të re të saj.
Duke marrë parasysh ekuivalentimin mes të dy titujve, të vlefshëm tashmë nga FIFA, Real Madridi kërkon në Doha kurorën e tij të nëntë si kampion bote, duke numëruar 3 Interkontinentale (1960, 1998 dhe 2002) dhe 5 Botërorë të Klubeve (2014, 2016, 2017, 2018 dhe 2022).
Kështu, fitimi i Champions-it të fundit i jep Real Madridit mundësinë të fitojë edhe tre tituj të tjerë: Superkupën e Europës (tashmë të fituar ndaj Atalantës në gusht), Kupën Interkontinentale dhe super Botërorin e parë të Klubeve.