Tani është zyrtare: Ronaldo Nazario ka shpallur kandidaturën për president të CBF-së, Federatës Braziliane të Futbollit. Ai e ka deklaruar këtë në një intervistë për portalin “Globo Esporte”. Zgjedhjet do të mbahen midis marsit 2025 dhe të njëjtit muaj të vitit pasardhës, por situata e ka bërë të domosdoshme një datë të afërt për shkak të krizës në futbollin brazilian. Federata është në kaos për shkak të situatës gjyqësore të presidentit aktual Ednaldo Rodrigues, ndërsa kombëtarja po përjeton një periudhë të vështirë si në rezultate, ashtu edhe në menaxhim. Pas largimit të Tite në Botërorin 2022, janë ndërruar tashmë tre trajnerë: fillimisht Ramon Menezes përkohësisht për 3 ndeshje, pastaj Fernando Diniz për 6 ndeshje, dhe në vitin 2024 erdhi Dorival Junior, i cili me 14 ndeshje dhe vetëm 6 fitore ka mbetur në “fije të perit”…
Kaosi gjyqësor – Ednaldo Rodrigues, i njohur si “Presinaldo” në Brazil, u zgjodh formalisht më 23 mars 2022, pas një periudhe të përkohshme si president. Megjithatë, ai u shkarkua më 7 dhjetor 2023 për parregullsi të dyshuara në procesin zgjedhor, por e rimori detyrën më 4 janar 2024 në pritje të një vendimi të Gjykatës Supreme.
Roli i Ancelottit – Emri i parë për stolin e Brazilit ishte Carlo Ancelotti, i cili u kontaktua dhe tregoi interes të madh. Në tetor 2023, rektori i Universitetit të Parmës, Paolo Andrei, duke i dhënë Ancelottit një “laurea honoris causa”, tha hapur se Carlo do të bëhej trajneri i ri i Brazilit. Ky deklarim alarmoi Florentino Perez, i cili i ofroi Ancelottit një rinovim të pazakontë deri më 2026 me Real Madridin, një ofertë që Ancelotti e pranoi.
Megjithatë, pozita e Ancelottit në Madrid nuk kanë qenë gjithmonë të sigurta. Pavarësisht triumfeve në La Liga dhe Champions League më 2024, disfatat me Barcelonën dhe Milanin e detyruan Perezin të jepte ultimatumin: fitore kundër Osasunës ose largim. Real Madridi fitoi 4-0, por tensioni mbetet.
Ronaldo, plani për rikthimin e madh – Në deklaratën e tij, Ronaldo ka shprehur synimin për të rikthyer lavdinë dhe respektin botëror të “Seleçaos”: “Më ndalojnë njerëzit në rrugë për të më kërkuar të rikthehem në ‘lojë’, sepse situata aktuale është shumë e keqe. Dua të hap dyert për legjendat e futbollit brazilian dhe ta bëj CBF-në organizatën më të dashur në Brazil. Tani populli është i pa interesuar, ‘Seleçao’ luan në indiferencë totale”.
Emrat për të drejtuar kombëtaren – Ronaldo refuzon të përmendë kandidatë, por thekson se Brazili meriton profesionistët më të mirë. Ai vlerëson talentet si Vinicius, Neymar, Rodrygo, Endrick dhe Estevao, por pranon se problemi është më i thellë se trajnerët apo formacionet.
Marrëdhënia me Perez dhe Ancelotti – Ronaldo ruan një marrëdhënie 20-vjeçare të shkëlqyer me Florentino Perez, si dhe ka besim të madh tek Ancelotti. Ai di si të lëvizë në këtë kontekst dhe është i vetëdijshëm për pasiguritë e Real Madridit lidhur me trajnerin. Nëse Perez vendos të ndërrojë trajner, me Xabi Alonso si favorit, atëherë Ronaldo mund ta përdorë këtë situatë për të bindur Ancelottin që të marrë drejtimin e Brazilit. Në këtë lojë të madhe të fuqisë, ‘Fenomeni’ ka bërë lëvizjen e parë.