Nuk ka më asnjë dyshim, Ardian Ismajli ka zgjedhur Napolin për të vijuar karrierën e tij. Pikëpyetja e vetme ka të bëjë me kohën dhe formulën e transferimit.
Napoli kishte “rezervuar” Ismajlin në fund të këtij sezoni, kjo pasi në qershor 2025 qendërmbrojtësit kuqezi i përfundon kontrata e tij me Empolin, në këtë mënyrë do të transferohej falas, por emergjenca që Conte ka në prapavijë detyron Napolin të “djeg” etapat.
“Il Mattino” ka zbardhur lëvizjen e radhës të Napolit, me “blutë” që janë të gatshëm të përfshijnë lojtarë në këto negociata pasi është e qartë se presidenti Corsi nuk do ta lejojë Ismajlin të largohet në janar, nëse nuk gjen një opsion të ri të për mbrojtjen.
Gjithnjë sipas “Il Mattino”, Napoli është gati t’i jap Empolit në formë huazimi mbrojtësin e krahut, Alessio Zerbi.
Ky i fundit pëlqehet shumë nga presidenti Corsi. Kjo lëvizje ka marrë edhe pëlqimin e lojtarit pasi tek Empoli do të gjente më shumë hapësira në raport me Napolin.
E përditshmja italiane shton se palët kanë gjetur një akord total, mbetet vetëm të hapet merkato e janarit për të finalizuar transferimin e Ismajlit te Napoli.